OFL kërkesë për Lulzim Berishën: Deklaro pasurinë brenda 48 orësh

AKTUALITET


Lulzim Berisha, ish-kreu i “Bandës së Durrësit” është një prej subjekteve të paketës ‘anti-KÇK”.

Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar një formular për deklarimin e pasurisë Berishës brenda 48 orëve, i cili u lirua në vitin 2016 me kusht. Këto të dhëna i bëri të ditura sot zëdhënësja e OFL, enë një deklaratë për mediat teksa u shfaq me kapele e syze dhe dha detaje për ditën e dytë të operacionit. OFL ka dërguar kërkesë me shkrim për Berishën.

“Në vijim të operacionit Forca e Ligjit, informojmë opinionin publik se në zbatim të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL sapo i ka nisur kërkesat me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë, subjekteve:
L. B., 49 vjeç, lindur dhe banues në rrugën ‘Adria’, Durrës, drejtues i një grupi kriminal, autor i veprave penale ‘Grupi i strukturuar kriminal’, ‘Trafikim i narkotikëve’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’. Ky shtetas, në vitin 2012 është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur lirimin e tij me kusht”, tha zëdhënësja e OFL.

subjekt i Ligjit Special, këta individë duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Me marrjen e masës së sekuestros, çdo biznes, mjetet motorike apo tokat në pronësi të subjekteve administrohen nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, po as mund të shitet, të blihet apo të jepet me qira nga subjekti.

Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.

Berisha i dënuar fillimisht me burg përjetë e më pas me 25 vite, i kishin mbetur vetëm 5 vite dënim për të kryer, kur u lirua nga burgu më 5 dhjetor 2016 pas një procesi të gjatë padish e kërkesash që avokatët e tij bënë në gjykata. Gjykata i dha lirinë duke e vendosur atë në periudhë prove me kusht që për 5 vjet të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakt me Shërbimin e Provës Durrës.



Skip to toolbar