Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut bëri thirrje sot për hetimin e sulmit ajror izraelit që vrau të paktën 22 persona në pjesën veriore të Libanit. Ndërkohë zyrtarët e Pentagonit njoftuan se në Izrael filluan të mbërrijnë forcat amerikane dhe komponentët e sistemit të avancuar të mbrojtjes nga raketat që Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Izrael për ta mbrojtur atë nga sulmet e Iranit me raketa balistike.
Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara bën thirrje të martën për hetime ndaj një sulmi ajror izraelit në pjesën veriore të Libanit, ku mbetën të vrarë të paktën 22 persona.
Sipas zëdhënësit të Zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë, Jeremy Laurence në mesin e të vrarëve në fshatin Aito ishin 12 gra dhe 2 fëmijë. Ai tha se sipas njoftimeve që ka marr kjo zyrë, objektiv i sulmit ishte një ndërtesë katërkatëshe banimi.
“Duke marrë parasysh këta faktorë, kemi shqetësime serioze sa i përket respektimit të ligjeve të luftës dhe parimeve të proporcionalitetit”, deklaroi ai.
Banorët dhe të strehuarit në fshatin Aito, që ishin larguar nga luftimet në jug të vendit, treguan dëmet e shkaktuar nga sulmi izraelit. “I humbëm të gjitha, rrobat, kursimet, sendet personale, stolitë, të gjitha. Asgjë nuk gjetëm, të gjitha u mbuluan nga rrënojat”, thotë Eli Alwan, një e zhvendosur libaneze.
Ushtria izraelite njoftoi të martën se sistemet e mbrojtjes ajrore interceptuan disa raketa që u hodhën nga Libani në Izrael, të cilat aktivizuan sistemin e alarmit në portin e Haifës.
Autoritetet izraelite po ashtu njoftuan se kanë vrarë dhjetëra militantë në sulmet ajrore kundër Hezbollahut në pjesën jugore të Libanit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të hënën se Izraeli do të hakmerret ndaj sulmit me dron të Hezbollahut që vrau katër ushtarë izraelitë dhe plagosi rëndë shtatë të tjerë në një bazë ushtarake në brendësi të Izraelit.
“Po luftojmë në një fushatë të ashpër kundër boshtit të së keqes së Iranit që synon të na shkatërrojë. Nuk do ta arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë. Do të vazhdojmë të luftojmë. Po paguajmë një çmim të dhimbshëm, por po bëjmë arritje të jashtëzakonshme – dhe do të vazhdojmë t’i arrijmë ato. Dua ta bëj të qartë: do të vazhdojmë ta godasim Hezbollahun pamëshirshëm në të gjitha pjesët e Libanit dhe në Bejrut”, deklaroi ai.
Zyrtarët e Pentagonit njoftuan të martën se forcat amerikane dhe sistemi i mbrojtjes ajrore “Thaad” filluan të mbërrijnë gjatë ditës së hënë në Izrael. Ky është sistemi më i avancuar i Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen nga raketat. Sistemi THAAD është ndërtuar për të shkatërruar raketat balistike me rreze të shkurtë, të mesme dhe të gjatë veprimi, si brenda ashtu edhe jashtë atmosferës. Raketat e sistemit THAAD nk janë të mbushura me eksplozivë, por i asgjësojnë raketat armike përmes kontaktit, duke u përplasur me to.
Ndërkohë gazetat amerikane Washington Post dhe Wall Street Journal, njoftuan se Kryeministri Netanyahu i tha Presidentit Biden gjatë bisedës telefonike javën e kaluar se Izraeli do të sulmojë vetëm objektiva ushtarake në Iran dhe jo objektet bërthamore apo rafineritë e naftës.
Në një deklaratë për media të martën, zyra e zotit Netanyahu tha se “ne dëgjojmë mendimet e Shteteve të Bashkuara, por vendimet tona përfundimtare i marrim bazuar në interesat tona kombëtare”.
Izraeli është zotuar se do të ndërmarrë një sulm hakmarrës ndaj Iranit./VOA