OKB: Shumica e strehimoreve të Libanit janë mbushur me të zhvendosur

BOTA


Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë të premten se shumica e gati 900 strehimoreve të Libanit janë mbushur plotësisht dhe se njerëz që po ikin nga bombardimet izraelite, janë duke fjetur nëpër rrugë dhe parqe publike.

“Gati të gjitha 900 strehimoret kolektive të vendosura nga Qeveria në Liban janë mbushur tashmë”, tha Rula Amin nga agjencia e OKB-së për refugjatë.

Ajo tha se janë duke punuar me autoritetet vendore për të gjetur më shumë vende dhe se, në ndërkohë, disa hotele dhe madje klubet e natës në Bejrut janë duke i hapur dyert për të strehuar njerëz të zhvendosur.

Autoritetet libaneze thonë se mbi 1.2 milion libanezë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe gati 2.000 janë vrarë në vitin e fundit, prej se u përshkallëzua konflikti mes Izraelit dhe grupit libanez të mbështetur nga Irani, Hezbollah. Por, shumica e tyre janë zhvendosur dhe vrarë në dy javët e fundit.



Skip to toolbar