Një ekip nxënësish të ekselencës nga 4 gjimnaze publike të Tiranës do të përfaqësojnë flamurin shqiptar në Olimpiadën e IV të Metropoleve, që mbahet javën tjetër në Moskë. Ata do të garojnë me bashkëmoshatarët e tyre nga kryeqytetet e një sërë vendesh europiane dhe jo vetëm, në fusha të shkencave ekzakte si: informatika, matematika, fizika dhe kimia. Para nisjes për në Moskë ata u pritën nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili iu uroi suksese dhe tha se ata janë krenaria e Tiranës.
“Jam shumë i lumtur që më të mirët nga 4 gjimnaze publike të Tiranës, të cilët kanë fituar olimpiadat dhe konkurset në Shqipëri, do të përfaqësojnë vendin tonë në Olimpiadën e Metropoleve në Moskë. Teksa shumica e shokëve e shoqeve të tyre kanë qenë në plazh, ata jo vetëm që nuk janë nxirë, por kanë studiuar dhe janë përgatitur për një eksperiencë fantastike. Me medalje ose jo, koha do ta tregojë, por rëndësi ka që do të jetë një eksperiencë e shkëlqyer, për të treguar se çunat dhe gocat e Tiranës mund të na përfaqësojnë denjësisht mes dhjetëra skuadrave të kryeqyteteve të tjera, në këtë olimpiadë të kampionëve të metropoleve”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës mbështet përfaqësimin që këta të rinj do t’i bëjnë qytetit tonë, si përkrahësja dhe nxitësja më e madhe e çdo nxënësi që ka talent. Ai nënvizoi se motivimi dhe mbështetja e talenteve të gjeneratës së re të qytetit tonë, mbetet një nga objektivat parësorë të politikës së Bashkisë së Tiranës.
Nxënësit që do marrin pjesë në Olimpiadë falenderuan Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që u kushton më të mirëve të shkollave të Tiranës, ndërsa garantuan një përfaqësim serioz të Tiranës dhe flamurit shqiptar në këtë organizim ndërkombëtar të më të mirëve. “Ju falenderojmë përzemërsisht! E rëndësishme është të paraqitemi sa më seriozisht, meqenëse është hera e parë që marrim pjesë në këtë olimpiadë, që gjurmët që do të lëmë atje, të pasohen nga të tjerët më pas. Nxënësit janë përgatitur dhe shpresoj që të dalin sa më mirë!”, tha Artjola Doko, një nga mësueset udhëheqëse, e cila ka ndjekur përgatitjen e të rinjve dhe që do drejtojë ekipin në Olimpiadën e Moskës.
Olimpiada zhvillohet në dy ditë, në 3 dhe 4 shtator, dhe konkurrimi do jetë i ndarë në fusha të ndryshme. Ekipi që do përfaqësojë gjimnazet e Tiranës do të konkurrojë në fusha si informatika, matematika, fizika dhe kimia.