Me 101 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenim, Olsian Çela zgjidhet Prokuror i Përgjithshëm nga Kuvendi. I renditur në krye të listës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 459 pikë, Olsian Çela mori besimin e maxhorancës dhe opozitës në Kuvend për një mandat 7-vjeçar. Ndërkohë, kandidatja tjetër në garë, ish-Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku mori vetëm 11 vota pro në Kuvend, 22 kundër dhe 78 vota të tjera abstenim. Ndërsa Fatjona Memçaj u votua me 8 vota pro, 16 kundër dhe 86 abstenim.
Menjëherë pas votimit, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi thirri Olsian Çelën për të bërë betimin përpara deputetëve duke marrë zyrtarisht detyrën e kryeprokurorit. Olsian Çela ishte një nga tre kandidatët në garën për Prokurorin e Përgjithshëm. Ai mori më shumë pikë nga vlerësimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në vlerësimin për aftësitë profesionale, integritetin moral, aftësitë organizative dhe aspekte të tjera.
Olsian Çela mori 191 nga 220 pikë të mundshme në vlerësimin profesional, ndërsa Arta Marku u vlerësua me 181 pikë në këtë aspekt. Në këtë kriter, Fatjona Meçaj u vlerësua me 167 pikë. Në integritetin moral, Çela dhe Marku u vlerësuan me 38 pikë secili nga KLP, ndërsa Memçaj me 29 pikë. Olsian Çela është vlerësuar me 190 pikë nga 220 të mundshmet në aspektin organizativ, ndërsa Arta Marku me 161 pikë nga 220 të mundshmet dhe Fatjona Memçaj me 134 pikë.
Sipas KLP-s, Olsian Çela mori 40 pikë nga 66 të mundshmet në vlerësimin për aspekte të tjera, ndërsa pas tij u rendit me 32 pikë Fatjona Memçaj dhe më pas Arta Marku me 26 pikë. Në këtë kategori futen titujt akademik, studimet dhe trajnimet apo gjuhët e huaja që kanë kandidatët. Pikëzimi sipas kategorive publikohet për herë të parë nga Kuvendi, pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë publikoi vetëm pikëzimin total të kandidatëve për Prokurorin e Përgjithshëm. /Realstory.al/