Një studim i kryer nga një institut kërkimor në Danimarkë, konstaton se rreziku i shtrimit në spital nga varianti Omicron është 50% më i ulët se nga varianti Delta. Ky mutacion i ri i Covid-19 ka një transmetueshmëri më të lartë se variantet e mëparshme por ajo çfarë është vënë re është se të infektuarit në shumicën e rasteve nuk paraqesin simptoma serioze.
Sipas virologëve në Danimarkë infektimet me variantin Omicron do të arrijnë kulmin e tyre në fund të Janarit dhe më pas në Shkurt do të ketë një përmirësim të ndjeshëm të situatës së pandemisë. Ata janë optimist se viti 2022 mund të shënojë edhe fundin e pandemisë dhe rikthimin në normalitet.
Megjithatë përhapja në rritje e variantit Omicron do të ushtrojë presion mbi sistemet spitalore duke bërë që të jetë një sfidë e re që do duhet të tejkalohet.
Në një kohë kur shifrat e infektimeve kanë shënuar rekorde, shumë liderë perëndimorë, nisur pikërisht nga rrezikshmëria e ulët e Omicron, kanë zgjedhur të mos marrin masa të rrepta kufizuese përballë frikës se do të shkaktonin një rënie ekonomike.
Një prej tyre është Kryeministri Boris Johnson, i cili pranon se në javët në vazhdim spitalet në Britaninë e Madhe do të përballen me një presion në rritje, por tha se qeveria do t’i përmbahet masave aktuale.