Pas miratimit të paketës ‘Anti-KÇK’, Operacioni Forca e Ligjit tashmë ndodhet në terren ku ka ndërmarrë aksionin e parë. Oficerë të OFL-së kanë nisur një aksion në Shijak, për të sekuestruar pasuritë e fisit të Hajrave, mes tyre dhe resorti ku i mbajt peng Jan Prenga, i cili më pas u dhunua për vdekje.
Burime nga Operacioni Forca e Ligjit thanë se po sekuestrohet pasuria e Altin Hajrit në Shkozet, i shpallur në kërkim si i përfshirë në rrëmbimin dhe dhunimin deri në vdekje të 49-vjeçarit Jan Prenga.
Mes të tjerash bëhet e ditur se policia u kishte çuar familjes Hajri formular për të justifikuar pasurinë, pasi dyshohet se ajo është ngritur nga veprimtari kriminale.
Aktualisht 12 drejtoritë vendore të policisë kanë përgatitur një listë me emrat e gjithë personave që preken nga ky akt normativ dhe ia kanë përcjellë departamentit të policisë kriminale, e cila po e përgatit për ta kaluar në SPAK.