Operacioni për kthimin e ligjshmërisë në territor, Koçiu: Ndërtesat pa leje, për përdorim social apo strehim

AKTUALITET


Në konferencën për shtyp, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu bëri të ditur se operacioni për kthimin e ligjshmërisë në territor tashmë ka marrë karakter të përhershëm, duke e kthyer territorin në një hapësirë gjithnjë e më shumë në shërbim të qytetarit. Sipas saj, janë shtuar inspektimet dhe janë përsosur metodat e monitorimit për të rritur fuqinë parandaluese të shtetit, ndërsa prishja e ndërtimeve pa leje mbetet masa e fundit, për shkak të kostove, që sjell si për shtetin, ashtu edhe për qytetarët.

Ministrja theksoi se territori nuk lidhet vetëm me prishjen e ndërtimeve të paligjshme, por me mbrojtjen e investimit dhe djersës së qytetarit: nga cilësia e ndërtimit dhe respektimi i kubaturës, te hapësirat e përbashkëta të premtuara, mosdevijimi nga plani i miratuar dhe garantimi i procesit të hipotekimit. Si rezultat i fuqizimit të kontrolleve, në rang vendi janë evidentuar 252 subjekte që kanë shkelur specifikimet e lejeve të ndërtimit; janë prishur 447 ndërtime apo shtesa të paligjshme dhe janë vendosur gjoba me një vlerë të përafërt prej 12 milionë eurosh.

Një tjetër risi, sipas Koçiut, është rishikimi i kornizës ligjore, duke shtuar një mekanizëm të fortë ndëshkues dhe njëkohësisht social ndaj shkelësve të ligjit. “Përpos gjobës dhe ndjekjes penale, me rishikimin e kornizës ligjore dhe mundësinë e konfiskimit të shtesave apo ndërtesave pa leje për përdorim social apo strehim, ndërtuesit ilegalë kanë një arsye më shumë të mendohen dy herë”, nënvizoi Ministrja.

Duke folur për bashkëpunimin shtet–qytetar, ministrja nënvizoi se rikthimi i ligjshmërisë në territor nuk është më një aksion i përkohshëm, por një angazhim i përhershëm. Ajo vlerësoi rolin e qytetarëve përmes dritares së re të raportimit “Hapësira ime Publike” në platformën e-Albania. Që prej hapjes së portalit janë regjistruar mbi 18 mijë raste të denoncuara, prej të cilave 14 mijë janë zgjidhur dhe mbi 4 mijë janë në proces shqyrtimi. Ajo theksoi se partneriteti me qytetarin do të jetë thelbësor për suksesin e operacionit, pasi askush nuk mund ta mbrojë territorin më mirë sesa vetë komuniteti që jeton dhe investon në të.



Skip to toolbar