Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli thotë se opozita nuk është alternativë për shqiptarët, duke iu referuar zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Në një intervistë për ABC News, Kadilli u shpreh se posteri i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi nuk shërben për mesazhin që ai dha me gishtat e mesit për luftën kundër korrupsionit.
“Nuk mund të jetë më kjo opozitë, alternativë për shqiptarët. Opozita nuk mund të bëhet strehë e dëshpërimit, opozita duhet të ishte strehë e shpresës.
Që të jetë strehë e shpresës, nuk mund të vazhdojë me të njëjtët njerëz. Në të gjithë fushatën, zoti Këlliçi dhe çdo kandidat tjetër që kam parë, nuk ka tezë politike. Të thuash tezë politike të luftosh korrupsionin, duhet të denoncosh korrupsionin.
Dhe të denoncosh korrupsionin, nuk është vetëm korrupsioni i kundërshtarit, korrupsioni nuk bëhet si luftë me seleksion, ky që është i imi është në rregull, ky që nuk është i imi nuk është në rregull.
Ndarja me korrupsionin është ndarje fondamentale, morale, etike. Të shikosh korrupsionin në thelbin e vet. Këto duhen denoncuar, gjestet janë mjete, janë tekonologjia që t’i zgjedh të flasësh”, theksoi ai.