Bindja Demokratike është skeptike për sa i përket tryezës ku politika shqiptare gjeti dakordësi për të diskutuar ndryshimet për reformën zgjedhore. Nga Korça ku u mblodhën strukturat e Bindjes Demokratike, Astrit Patozi tha se nuk e sheh të besueshme tryezën e mbledhur ndërpartiake për reformën zgjedhore. Për Patozin fajtorë të krizës politike janë PD dhe PS dhe duket se të dyja këto forca nuk duan ndryshim të sistemit aktual, një qëndrim që e shprehu edhe pak ditë më parë në emisionin “Real Story” para gazetarit Sokol Balla dhe analistëve.
“Javën e kaluar ka pasur një ulje në tavoline , s’po e quaj marrëveshje sepse është ende shpejt ku përgjegjësit kryesore të krizës janë dakordësuar për të nisur një proces dialogu për të cilin kemi konsideratë të mendojmë që ky është një lajm i mirë për Shqipërinë por nga ana tjetër jemi skeptike sepse kemi gjithë dyshimet dhe provat që mesa kuptojmë ata janë ulur për të mos rënë dakord, të mos ketë produkt por të ruajnë “status quo” që na ka çuar në këtë krizë” tha Patozi.
Patozi tha se dy partitë e mëdha duan ruajtjen e sistemit aktual dhe nëse nuk do të ketë ndryshim, ky do të ishte një lajm I keq për vendin.
“Vetëm një presion i fortë publik nga çdo lloj faktori politik por dhe i shoqërisë civile apo çdo personalitet apo personazh në Shqipëri që duhet të ngrejë zërin që kjo të mos ndodhë , sepse kjo do të ishte shtyrje e krizës dhe jo zgjidhje e saj. Sipas nesh gjeja e pare qe duhet te beje ajo tryeze është të hedhe poshtë sistemin politik dhe mënyrën si organizohen zgjedhjet në Shqipëri dhe si financohen partitë dhe si administrohen partitë politike në Shqipëri. Në rast se kjo ndodh çdo gjë tjetër është më e lehtë .Ne kemi opinionin tonë që një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura do ishte më i përshtatshëm por ne nuk jemi fanatike të këtij propozimi, ne mendojmë që çdo gjë tjetër përveç këtij sistemi që ishte aktualisht do të ishte në dobi të vendit . Kjo do te thotë se ne jemi e vetmja force politike ne Shqipëri që kemi një platforme për zgjidhjen e krizës dhe këtë e kemi depozituar në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore” tha Patozi, i cili foli dhe për marrjen e mandatit të deputetëve të rinj, duke i quajtur legjitim pasi kanë marrë mandatin e tyre sipas ligjit dhe Kushtetutës.
Këtë qëndrim Patozi mbajti edhe kur ishte i ftuar më 15 janar në emisionin “Real Story” për të diskutuar pikërisht për këtë paqe të re të vendosur mes partive politike në tryezën e Reformës Zgjedhore, Patozi tha se ulja për të diskutuar është një veprim për t’u përshëndetur, por ka frikë se pas kësaj ka një të keqe të madhe, “ajo për të mos ndryshuar asgjë nga sistemi zgjedhor”.