Opozita parlamentare, pro dhe kundër për shkarkimin e Metës

Më të fundit


Kryesia e Partisë Socialiste ka marrë sot vendimin për të iniciuar mocionin për debat që do t’i çelë rrugën procedurës së shkarkimit të Presidentit. Por, që mazhoranca të shkarkojë Presidentin Ilir Meta duhen 2/3 e votave në Kuvend, pas kapërcimit të kompetencave kushtetuese nga ana e tij për anulimin e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se duhen edhe votat e opozitës parlamentare, pasi mazhoranca nuk i ka aktualisht 94 vota.

Kjo ka sjellë reagimin e deputetëve të rinj që i janë bashkuar Kuvendit të Shqipërisë pas djegies së mandateve në bllok nga ana e opozitës.

Nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi deklaroi se vendimi i presidentit Ilir Meta pra ‘çdekretimi’ është një term që nuk e njeh as Kushtetuta. Ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejt nëse opozita e re do të votonte apo jo shkarkimin e Metës, por u shpreh se çdo deputet ka të drejtën e tij individuale për të vendosur. Murrizi u shpreh  se më 30 qershor do të ketë zgjedhje. Myslim Murrizi i bëri thirrje mazhorancës të vazhdojë para me opozitën e re në ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe të mos ‘mbyllë’ një sy ndaj opozitës.

Deputeti Ralf Gjoni, i cili hyri në Kuvend nga listat e LSI, deklaron se deputetët e Kuvendit nuk kanë ende asnjë akt parlamentar për shkarkimin e Presidentit, gjithsesi, vota e tij do kushtëzohet me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ai sheh si të vetmen mundësi për zgjidhjen e krizës politike ndryshimin radikal të sistemit zgjedhor, hapjen e listave dhe një ligj të ri të partitë politike në Shqipëri.

Ndërsa Lefter Maliqi, deputeti i opozitës së re ardhur në Kuvend nga listat e PD-së pas djegies së mandatit, thotë se nuk do të votojë për shkarkimin e Metës. “Në asnjë mënyrë, Presidenti bëri aktin më të mirë në shërbim të vendit. Shmangu konfliktin dhe përplasjen civile. Tregoi veten mbi palët dhe do të mbahet mend në histori për veprimin si burrë shteti”, u shpreh Maliqi.

Deputetja e PDIU-së, Reme Lala, e cila i është bashkuar grupit socialist në Kuvend, është shprehur se do të mbështesë vendimin e qeverisë për të shkarkuar presidentit Meta. “Mbështes qeverinë në vendimin për shkarkimin e presidentit”, tha Lala.



Skip to toolbar