OSBE, thirrje opozitës për krizën: Dialog pa parakushte

Më të fundit


Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Xhorxh Tsereteli ka reaguar pas krizës politike të krijuar në Shqipëri duke kërkuar përgjegjshmëri nga palët dhe ka bërë thirrje që palët të ulen në dialog pa kushte.

“Pavarësisht nga rekomandimet e mëparshme të OSBE, ne jemi dëshmitarë të rritjes së trazirave politike në Shqipëri, me zhvillimet e fundit që kërcënojnë që polemikat politike të kthehen në një krizë kushtetuese. Graviteti i situatës aktuale kërkon që palët politike në Shqipëri të angazhohen në dialog gjithëpërfshirës pa parakushte dhe të ulen në tryezë në mirëbesim. Dialogu duhet të synojë të shmangë një përshkallëzim të dëmshëm të krizës duke adresuar gjithashtu shqetësimet legjitime të popullit.

Ndërsa Shqipëria përgatitet të kryesojë OSBE-në në vitin 2020 dhe pret një vendim nga Këshilli Evropian për hapjen e negociatave të pranimit me BE, është e domosdoshme që të gjitha palët e interesuara të respektojnë përgjegjësitë e tyre, të cilat janë të rëndësishme për qëllimet strategjike të Shqipërisë që mbështeten nga pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare”, deklaron Tsereteli.

Presidenti Tsereteli shtoi se kuadri ligjor shqiptar duhet të mbështetet dhe respektohet nga udhëheqësit politikë. “Asambleja parlamentare mbetet e bindur se me vullnetin e nevojshëm politik aktorët politikë shqiptarë posedojnë të gjitha aftësitë e nevojshme për ta çuar vendin përpara dhe për të ofruar anën më të mirë të Shqipërisë në OSBE”, tha ai. Tsereteli theksoi se Asambleja Parlamentare vlerëson vëmendjen që Kryesia sllovake i jep Shqipërisë. “Asambleja parlamentare do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj ambicieve dhe dëshirave të popullit të saj”, theksoi ai.



Skip to toolbar