Avokati i biznesmenit Edmond Bego, Ardian Leka, paralajmëroi padi civile dhe penale për të gjithë përfaqësuesit e Partisë Demokratike, që kanë bërë denoncime publike ndaj klientit të tij.
I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, avokati Leka tha se Leka ka qenë trafikant dhe për këtë ka vuajtur dënimin, ndërsa tashmë është si gjithë qytetarët e tjerë, ndaj dhe PD nëse ka fakte të reja, duhet t’i drejtohet drejtësisë dhe jo të bëjë deklarata publike.
“Njerëzit kanë një kohë që kryejnë veprën penale dhe një kohë që mbaron kjo vepër. Nëse një person ka marrë të gjithë dënimin e shtetit shqiptar, për një vepër të kryer, sot ai është një qytetar si gjithë të tjerët, normalisht me një njollë. Por, çfarë ka ndodhur? Ai biznesmeni që diskutohet sot, ka qenë në burg në kohën e PD. Sa herë që politika, kryesisht PD, sheh vështirësi të përballjes me nenin, nxjerr qytetarë dhe flet për ta, pa pasur asnjë lidhje. Bego është hetuar tre herë për pasuritë e veta, që dyshohet se i kishte vënë nga krimi. Ai ka qenë subjekt i krimit, tani nuk është më.
Këta njerëz që e shajnë sot e kanë hetuar, e kanë hetuar për së dyti, kanë verifikuar zero të ardhura nga pasuria e krimit, e kanë hetuar për së treti. Ai nuk u la i qetë në asnjë rast. U kap në Greqi, sipas mendimit tim ka qenë një ndërhyrje. Doli prapë PD dhe tha që u kap trafikanti, njeriu më i rrezikshëm. Dhe çfarë ndodhi, edhe pse nuk jemi në kohën e PD, rifilloi edhe njëherë hetimi për pasurinë e tij, i doli sërish zero dhe u mbyll çështja. Ka ndonjë dokument për të verifikuar akuzat këta të PD, se kjo është bërë skandaloze. Të gjithë këta njerëz, nëse kanë një provë të vetme duhet t’i drejtohen organeve të drejtësisë, të mos dalin e të bëjnë deklarata publike, se nuk kanë vlerë. Këtë gjë do të bëjmë ne tani, do iu bëjmë të gjithë nga një padi civile dhe penale. Se vazhdojnë gjithë kohës ‘trafikanti, trafikanti’”, tha Leka.
Më tej, avokati foli për ligjin “Anti_KÇK”, duke thënë se pritej që ligj të ishte për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, por rezultoi e kundërta, ndërsa ironizoi me qeverinë, teksa tha se “Pse, iu mungoi boja e stilolapsit atyre, që nuk e futën dhe pjesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve?”
“Ky ligj vendoset mbi një ligj tjetër, që ka të gjitha parametrat e ligjeve bashkëkohore, që ne e kemi marrë nga Italia. Ky nuk ka as Forcën e Ligjit sot, se nuk është miratuar në Parlament. Sot në Shqipëri, që nga 2009 e në vazhdim, ka pasur një ligj, ai Antimafia, që ka funksionuar. Prokurorët kishin të gjitha të drejtat, që mbi bazën e kallëzimeve të policisë, dërgonin letrat në prokurori dhe kjo e fundit bënte të gjitha verifikimet, dhe kur konstatonte se pasuritë nuk buronin nga burime të ligjshme, menjëherë vinin sekuestro preventive.
Pastaj prokuroria i drejtohej gjykatës dhe kjo e fundit vendoste nëse po ose jo. Pastaj fillohej një proces i ligjshëm për të vërtetuar personi se si e kishte vënë pasurinë. E gjithë kjo strukturë ka qenë, është akoma dhe ka funksionuar. Janë disa prona. E njëjta gjë vendoset sot me një akt normativ, që nuk do ta bëjë as SPAK, as gjykata, por këto strukturat. Problemi që ngrihet është te njerëzit që godet ky ligj. Në ligj thuhet se ai godet njerëzit e dënuar me vendim të formës së prerë për vrasje, trafik, etj. Ajo që u ngrit dhe u trumpetua si një ligj që do godiste “KCK”, nuk u bë”, deklaroi avokati.