Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale e falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërsa në pranga ka rënë një person. Në kuadër të operacionit të koduar
“Last Trip” u arrestua 35-vjeçari Neard Myftari si dhe u proceduan shtetasit me inicialet K. M., 41 vjeç dhe S. A., 31 vjeçe.
Nga hetimet ka rezultuar se i riu në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë (punohet për identifikimin e tyre) kundrejt shumës rreth 25.000 euro dyshohet se ka pajisur me pasaporta të falsifikuara spanjolle shtetasit K. M dhe S. A, dhe dy fëmijët e tyre të mitur me qëllim udhëtimin e tyre drejt Gjermanisë. Shtetasit K. M dhe S. A, kanë tentuar dy herë të kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit, por si rezultat i forcimit të masave të kontrollit në këtë aeroport nuk kanë mundur dot të largohen.
Materialet proceduriale do t’i kalojne Prokurorise pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe “Falsifikimit të leternjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.