“Pallatet e reja rezistuan”, Shoqata e Ndërtuesve: Duhet të ndryshojë legjislacioni

AKTUALITET


Pas deklaratave që Avenir Kika, pjesë e Shoqatës së Ndërtuesve, bëri në emisionin “Real Story”  se ndërtesat pas ’90 i rezistuan tërmetit dhe nevojitet një ligj i ri me norma teknike që të përballojnë lëkundje sizmike të forta, ka sjellë dhe reagimin zyrtar të Shoqatës  së Ndërtuesve. Kjo shoqatë kërkon ndryshim të legjislacionit dhe kodit në lidhje me ndërtimet dhe kriteret e tyre si një nevojë imediate për të shmangur tragjedi të tjera në të ardhmen. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë tha se duhet një kontroll i plotë nga nisja e procesit të krijimit të strukturës deri në përfundimit të saj, gjë që mundon në ndërtesat që krijohen në mënyrë private.

“Duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin për të gjithë personat e prekur nga kjo tragjedi, ndërtuesit konstatojnë se pavarësisht forcës shkatërrimtare të tërmetit ndërtimet e bëra pas vitit 1990 i rezistuan lëkundjeve. Në asnjë rast strukturat bazike të ndërtimeve nuk kanë pësuar kolaps, por ka pasur vetëm dëme në muret e brendshme.

Nisur nga ky konstatim, shoqata e ndërtuesve mendon se është domosdoshmëri hartimi i normave teknike që aktualisht mungojnë në kushtet e veprimeve sizmike. Ndërtuesit janë të mendimit se është imediate të plotësohet legjislacioni dhe të krijohen struktura të posaçme për kontrollin e punimeve që nga faza e marrjes së lejes e deri në vënien në shfrytëzim të objektit, gjë që për ndërtimet private mungon”, thuhet në njoftimin e saj.

Shoqata e Ndërtuesve përfundon reagimin e saj duke thënë se shprehet e gatshme që së bashku me Qeverinë dhe Parlamentin të ofrojë asistencën e saj për ndryshimet ligjore për të pasur më shumë ndërtime cilësore dhe sa më të sigurta.



Skip to toolbar