Dhuna në protestat e opozitës për SHBA-në kanë përgjegjës konkretë, të cilët janë dy udhëheqësit e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Mesazhi i fortë i SHBA për dy drejtuesit e opozitës vjen nga Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit në SHBA në një intervistë për mediat shqiptare, ku ka rikujtuar se qëndrimet e qeverisë amerikane në raport me zhvillimet politike nga vizita e tij e fundit s’kanë ndryshuar.
“Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv që synon t’i japë fund ngërçit politik”, shprehet Palmer.
Por, Palmer nuk është ndalur vetëm me dënimin e dhunës së ushtruar në protestat e opozitës, pasi ai ka lëshuar dhe një paralajmërim të fortë për ata që do të tentojnë të prishin zgjedhjet e 30 qershorit, një paralajmërim që së fundmi është dëgjuar shpesh edhe nga kryeministri Edi Rama në takimet elektorale që po zhvillon në këtë fushatë.
“I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA. Ditën e zgjedhjeve, ekipet tona të ambasadës do të vendosen në qendra votimi për monitorim zgjedhor. Kemi në plan të shqyrtojmë raportimet për monitorimin zgjedhor të ekipeve tona si dhe ato të ODIHR”, deklaroi Palmer. Sipas tij, këto paralajmërime ia ka bërë opozitës që në prill kur ishte në Tiranë. “E nxita opozitën të merrte pjesë në zgjedhje, t’ia përcillte mesazhin e saj qytetarëve, të fitonte pozicionin në qeveri, dhe pastaj ta përdorte fitoren si mjetin për të mbajtur angazhimet dhe vizionin për të ardhmen. Ishte vendimi i udhëheqësve të opozitës, dhe vetëm i tyre, që të mos regjistroheshin për zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk mund të fitosh zgjedhjet nëse qëndron jashtë tyre dhe përdorimi i bojkotit për të penguar zgjedhjet vendore të një vendi të tërë nuk ndihmon për ndërtimin e institucioneve më të forta demokratike”, u shpreh Palmer, duke shtuar që “është e pafat që partitë refuzojnë të angazhohen në dialog pa parakushte, çka e bën zgjidhjen shumë të vështirë deri në atë masë sa është e mundur, nxisim të gjitha partitë të kërkojnë një mënyrë për të lundruar drejt një daljeje nga ky ngërç politik”.