PARIS 2024/ Abakarov sot garon për historinë, Prizreni: Synojmë medalje

Më të fundit


Tashmë gjithçka ësh të gati, teksa sot Shqipëria do të nisë konkurrimin me mundjen, sportin ku janë edhe pritshmëritë më të larta të ekipit kuqezi në Lojërat Olimpike “Paris 2024”

Sytë do të jenë te Zelimkhan Abakarov, kampion bote me Shqipërinë, i cili do të futet në tapet për duelet e peshës 57 kg në stilin e lirë. Ditën e djeshme mundësi 31 vjeçar i Shqipërisë ka njohur edhe kundërshtarin për raundin 1/8, sesion që do të nisë në orën 11:00.

Abakarov do ta fillojë rrugëtimin e tij olimpik me sfidën ndaj Diamantino Iuna Fafe, mundës nga Guinea Bisau. 23-vjeçari është dy herë kampion i Afrikës. Një rival i fortë për Abakarovin, por jemi në Lojëra Olimpike, kompeticion ku garojnë më të mirët dhe çdo ndeshje është shumë e fortë.

Pas Abakarovit, nesër do ta ketë radhën Chermen Valiev në peshat 74 kg, ndërsa mundësi i fundit i ekipit olimpik të Shqipërisë që do të konkurrojë në “Paris 2024” do të jetë kampioni i Europës, Islam Dudaev, të shtunën në peshat 65 kg. Kujtojmë që të tre kampionët e mundjes ndodhen me normë për në Olimpiadë, falë paraqitjeve të shkëlqyera që kanë pasur në garat kualifikuese.

PRIZRENI – Në prag të debutimit të mundjes në Lojërat Olimpike, presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, ka folur për gjendjen e sportistëve tanë dhe për synimet në “Paris 2024”. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Prizreni bën të ditur se mundësit janë në formë shumë të mirë, ndërsa shprehet se objektivi mbetet zona e medaljeve, ndonëse thekson se bëhet fjalë për kompeticionin me shkallën më të lartë të vështirësisë. “Gjithçka deri tani ka shkuar mirë. Këto ditë e fundit sportistët ranë edhe nga pesha, ndërsa tani të shikojmë dhe të shpresojmë që çdo gjë të shkojë mirë”, thotë fillimisht Prizreni, teksa më tej shton:

“Djemtë kanë ardhur këtu për medalje. Olimpiada është një garë jo si garat e tjera, pasi këtu përplasja është direkt me kundërshtarët më të fortë. Por ne të gjithë kemi një synim të qartë dhe shpresojmë që t’ia dalim. Shpresojmë që të jemi në ditë të mirë dhe dashtë Zoti, djemtë t’ia arrijnë synimit që kanë, synimit që ne kemi të gjithë bashkë, për të marrë medalje. E rëndësishme është që fizikisht nuk kemi pasur asnjë problem dhe tani le të presim garat për të dhënë më të mirën”, deklaron Prizreni në komunikimin e tij me gazetën.



Skip to toolbar