TIRANË– Nëse të gjithë do të silleshin siç Greqia po sillet për rastin e Fredi Belerit, bota do të ishte e tmerrshme. Me këtë qëndrim, raportuesja e Parlamentit Evropian për Shqipërinë kritikoi bllokadën që Athina i vendosi Tiranës në Bruksel.
“Jam thellësisht e keqardhur për këtë lloj deklarate nga Greqia. Është një çështje, që është në proces gjyqësor. Nëse të gjitha vendet do fillonin të sanksiononin vendet e tjera apo të bënin të tilla deklarata, kur një shtetas i tyre përballet me një proces gjyqësor në shtet tjetër, atëherë bota do të ishte e tmerrshme”, tha ajo.
Santos vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria, sidomos punën e bërë nga SPAK, por kërkoi që reformat të mos ndalojnë dhe të mos mbizotërojë debati politik.
“Nuk është momenti për të thënë e ka fajin njëri, e ka fajin tjetri, e kështu me radhë. Ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet është se ende jemi në kohë për të ndërtuar konsensus dhe për të ecur para me këtë reformë dhe për të ecur përpara me reformën në fjalë dhe në qoftë se kjo reformë nuk është e mundur të gjithë do të kenë faj për këtë”, tha ajo.
Raportuesja e Parlamentit Evropian mendon se në disa sektorë, vendi mund të kishte ecur më mirë.
“Jo, hapa pas jo, por ndonjëherë do të ishte mirë që të kishte performancë më të mirë. Ja pse u kërkoj aktorëve politikë, që t’i lënë mënjanë egot e tyre dhe të përqendrohen tek ajo që është vërtetë e rëndësishme për vendin. Vendi do të japë shumë më tepër, shumë më tepër”, shtoi ajo.
Parlamenti Evropian thotë se do të ndjekë me vëmendje zbatimin e ligjit të ri për zonat e mbrojtura./ abcnews.al