Kuvendi i Shqipërisë votoi me 110 vota pro pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Deputeti Fatmir Mediu i ftuar në Real Story tha se çështjet e sigurisë duhet të trajtohen në mënyrë serioze dhe të merret në konsideratë Kushtetuta.
Mediu theksoi se janë shkelur dy nene dhe se shumica e deputetëve nuk ishin të informuar se për çfarë po votonin.
“Nuk bëj pjesë te ai grup që shikon sipërfaqen. Çështja e sigurisë nuk është pronë private e kryeministrit; ajo trajtohet në mënyrë serioze dhe merret në konsideratë Kushtetuta. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe nuk mund të prishim marrëdhëniet e brendshme. Ne, si shqiptarë, kemi shprehur interesin për të qenë pjesë e BE-së. Çdo lloj diskutimi duhet të ketë pikëpyetje sa i takon kushtetutshmërisë.Nuk e detyroi njeri Shqipërinë të ishte pjesë me vrap e Bordit të Paqes. Ne votuam një akt për të qenë pjesë. Kur flasim për një çështje të tillë, duhet qëndrim i unifikuar, i shqyrtuar politikisht në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i cili nuk ekziston më.
Ka dy shkelje të neneve. Neni 121: nuk ka një marrëveshje bazë ku ka firmosur kryeministri. Ai nuk ka firmosur një marrëveshje. Ajo marrëveshje është nënshkruar, por nuk është negociuar, pasi një marrëveshje negociohet, nënshkruhet dhe ratifikohet. Shkelja e dytë ka të bëjë me faktin se deputetëve duhet t’u paraqitet marrëveshja të paktën një javë më parë për t’u informuar; sot shumica prej tyre nuk kanë qenë të informuar.
Ne reshtohemi dhe bëhemi në një parlament që është kthyer në teatër kukullash. Votuam në parim dhe nen për nen kundër asaj që Rama përpiqet ta shesë si manipulim.” / abcnews.al /
