Parlamenti i Malit të Zi ka nisur debatin për kabinetin e mandatarit për kryeministër, Zdravko Krivokapiç, qeveria e parë në tri dekada që nuk do të drejtohet nga Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit Millo Gjukanoviç.
Seanca në këtë temë, që ka nisur më 2 dhjetor, pritet të rezultojë me votim të qeverisë së re më 4 dhjetor. Krivokapiq është duke drejtuar një koalicion me qëllimin e vetëm të largimit të Gjukanoviqit dhe partisë së tij nga pushteti.
Ai ka thënë se prioritetet e tij të kabinetit pro-serb janë ekonomia, luftimi i koronavirusit dhe “sundimi i vërtetë i ligjit”. Malii Zi dhe Serbia kanë qenë pjesë e shtetit të njëjtë përpara referendumit të mbajtur më 2006, që ka bërë Malin e Zi shtet të pavarur.
Teksa i është adresuar parlamentit më 1 dhjetor, Krivokapiç është zotuar për miratim të ligjeve që do të shënjestronin zyrtarë të korruptuar dhe për shfuqizimin e atyre që janë përshtatur “për interesat partiake dhe kundër interesave të qytetarëve”.
Krivokapiç po ashtu ka thënë se do t’i japë “prioritet të veçantë” ndryshimit të ligjit kontrovers për komunitetet fetare, që ka nxitur protesta në mbështetje të Kishës Ortodokse Serbe, në fund të vitit të kaluar.
Protestat patën vazhduar edhe pas urdhrave të izolimit me qëllim të frenimit të koronavirusit.
Mali i Zi vazhdon të jetë thellësisht i ndarë në mesin e atyre që synojnë lidhje të ngushta me aleatet si Serbia dhe Rusia dhe atyre që e shohin Malin e Zi si shtet të pavarur, të lidhur me Perëndimin.
Partia më e fuqishme e koalicionit, Fronti Demokraitk, që synon të ketë lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë, përkrahet nga Kisha Ortodokse Serbe. Partnerët e saj, insistojnë që Mali i Zi, që është bërë pjesë e NATO-s më 2017, të vazhdojë rrugën pro-perëndimore.
Krivokapiq ka thënë se qeveria e re do të punojë për të përmirësuar lidhjet e Malit të Zi me Serbinë.
“Ne do të promovojnë politikë të mirë fqinjësore me Beogradin, si dhe të gjithë të rajon, sipas parimit të sovranitetit, pavarësisë dhe mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të vendeve tjera”, ka thënë Krivokapiq më 29 nëntor.
Meqë shumica e ligjvënësve janë pjesë e debatit, votëbesimi nuk pritet të ndodhë para 3 apo 4 dhjetorit.