Partitë e vogla duket se kanë si preferencë datën 4 maj për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare 2025.
Ishte kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i cili tha për mediat se dëshiron këtë datë pasi më 9 maj do të zhvillohet në Tiranë, takimi i Komunitetit Politik Europian, dhe sipas tij kjo mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve nëse mbahet pas kësaj date.
“Janë katër të dielat të prillit dhe të majit, data 11 përcaktohet në kushtetutë por mendoj se mund të ndikojë në zgjedhje se i bie të mbyllet fushata në datë 9, ku ka një event madhor europain. Kjo është logjike, ne jemi në opozitë vetë. Ka efekt, nëse ka aktivitet kaq madhor në zgjedhje”, tha Duka.
Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot takime me krerët e partive të vogla, atë të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, të PBDNJ-së, Vangjel Dule, dhe të LZHK-së, Dashamir Shehi, në kuadër të konsultimit për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Takimet me dy partitë më të mëdha, Partinë Socialiste (PS) dhe Partinë Demokratike (PD), janë parashikuar për të hënën e ardhshme, më 2 dhjetor.