Pas aksionit kundër informalitetit qeveria do të ndërmarrë një tjetër mision, që është kontrolli i punonjësve për të mos lejuar punën në të zezë.
Lajmi është bërë publik të mërkurën nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e cila bëri publike rezultatet e aksionit anti informalitet në një konferencë për mediat.
Denaj deklaroi se kanë mbërritur 1233 denoncime nga qytetarët, e ndërsa vuri theksin tek efektet që ka dhënë ky aksion, tha se vetëm në muajin gusht janë deklaruar 8 mijë punonjës në sektorin privat.
Ajo tha se ky operacion në ditët në vijim do të fokusohet pikërisht tek deklarimi i punonjësve, ku në fokus do të jetë Inspektorati i Punës, me qëllim uljen e numrit të punonjësve që punojnë në të zezë.
Aksioni anti informalitet i ndërmarrë nga qeveria gjatë muajve të fundit ka sjellë gjobitjen dhe mbylljen e dhjetëra bizneseve që rezultonin se punonin në shkelje ligjore dhe nuk paguanin detyrimet tatimore ndaj shtetit.
Por në sitën e kryeministrit kanë rënë edhe drejtuesit e Tatimeve dhe Doganave. Me gjasë për shkak mosrealizim rezultatesh. Kjo nuk lë jashtë përgjegjësisë edhe vetë ministrin e Financave. Zonja Denaj nga më shumë se një burim zyrtar konfirmohet se është nën presionin e kryeministrit për performancën e ministrise se saj tepër të rëndësishme të Financave. Nëntë muaj pas marrjes së detyrës ardhja e Denajt ende nuk mund të quhet një sukses. Dhe heqja e saj, nuk është më aq e komplikuar, sa largimi i Ahmetajt Krishtlindjet e fundit. /realstory.al