Në konferencën e së martës Presidenti Meta sulmoi hapur ambasadën amerikane në Tiranë, ndërsa të enjten (sot) ai ka bërë publike një letër drejtuar presidentit amerikan Donald Trump me rastin e 4 korrikut, festës së Pavarësisë së SHBA-së.
Një letër që është praktikë pune e presidentëve për t’ia dërguar homologëve të tyre me rastin e festave Kombëtare dhe ku përdoret një gjuhë e zbutur urimesh dhe gatishmërie për bashkëpunim dhe partneritet mes dy vendeve tona.
Pra ajo që bën përshtypje është zbutja e presidentit i cili vetëm dy ditë më herët sulmoi dhe hodhi akuza të ashpra në drejtim të ambasadës amerikane, sikur ajo të mos jetë pjesë e qeverisë amerikane.
Përveç ambasadës, Meta sulmoi edhe miliarderin George Soros duke e akuzuar atë për komplote kundër demokracisë në Shqipëri.
Presidenti tha se Rama bashkë me miqtë e tij ambasadorë (ku futet dhe SHBA) janë pjesë e një grupi të strukturuar PPPd që kërkojnë ndërtimin e një shteti paralel.
“Jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera ku është prezent ky fenomen i rrezikshëm i shtetit paralel dhe axhendave të nëndheshme, është një komplot kundër demokracisë dhe sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.
Prej kohësh ua kam bërë të qartë zotit Basha, zonjës Kryemadhi, madje dhe mikut tim Doktorit që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar PPPd! Është një grup i strukturuar që punon sipas parimeve të “deep state-t”, që synon “total capture state’ në Shqipëri, që kanë gjetur dhe njeriun e duhur për këtë çështje, i cili nuk vjen në takim me Presidentin, por lahet në pishinë”, tha Meta në konferencën e sa martës.
Ndër të tjera ai iu referua ambasadës amerikane me ftesën që të bëjë ndonjë propozim për zgjidhjen e krizës dhe të mos nxisë sherre në Shqipëri. “Në qoftë se ka ndonjë propozim ndonjë ambasadë që flet për dialog, por që nxit sherr në Shqipëri, le ta bëjë, ta dëgjojmë!”, tha Meta.
Ndërsa në letrën dërguar Trump ai shkruan se: “Çdo shqiptar beson fort në aleancën solide që qëndron mes dy vendeve tona, bazuar mbi themelet historike të bashkëpunimit dhe miqësisë së vërtetë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, në vitet e vështira të sundimit të diktaturës dhe të partisë-shtet, shembull i madh frymëzimi dhe mbështetje për ta përmbysur atë 30 vjet më parë dhe për të vendosur në Shqipëri, pluralizmin, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonomisë së tregut të lirë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e veçanërisht lidershipi Juaj, Zoti President, vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar dhe mësim se sa të shtrenjta janë liritë themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi sot përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë”.
Letra e plotë e Presidentit Meta dërguar Presidentit Trump