Maxhoranca do të presë publikimin e raportit zyrtar të Komisionit të Venecias për shkarkimin e presidentit Meta dhe më pas mbi bazën e tij do të hartojë një dokument specifik me pika dhe me hapa konkretë sesi do të procedojë për shkarkimin e Metës. Një gjë është e sigurt se i gjithë procesi do të vijojë dhe se nuk ka kthim pas për shkarkimin e presidentit. Ka qenë vetë kryeministri Rama i cili ia ka bërë të qartë këtë vendim deputetëve të PS-së në mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar të hënën në mëngjes.
“Do presim publikimin e raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe do hartojmë një dokument shpjegues për hapat që do ndjekim”, është shprehur Rama në mbledhjen e grupit parlamentar, e cila zgjati rreth 30 minuta dhe ku është diskutuar edhe rezoluta e parlamentit si pjesë e paketës anti-shpifje.
Kreu i qeverisë u ka kërkuar deputetëve socialist edhe miratimin sa më shpejt të rezolutës së PE si pjesë e paketës anti- shpifje. Kjo paketë mes të tjerave autorizon AMA-n që të mbikëqyrë edhe median elektronike, duke përfshirë edhe publikimet online.
Kujtojmë se Komisioni i Venecias në raportin paraprak vlerësoi se presidenti Meta ka tejkaluar kompetencat që i njeh kushtetuta përmes aktit të tij të anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Sipas Venecias Presidenti anuloi zgjedhjet pa u konsultuar me partitë politike, ndërkohë që edhe në kohë lufte duhet konsensusi politik për një çështje të tillë. Përmes aktit të tij, Venecia tha se presidenti shkeli të drejtën e zgjedhësve për të votuar. Venecia thekson se i takon parlamentit të Shqipërisë dhe institucioneve shqiptarëve të vlerësojnë nëse presidenti duhet shkarkuar ose jo. Raporti përfundimtar i Venecias do të jetë baza mbi të cilën do të vendosë parlamenti i Shqipërisë. Komisioni Hetimor Parlamentar ka afat deri më 8 dhjetor për të vendosur për shkarkimin e presidentit. Pas miratimit në parlament çështja do të vuloset nga Gjykata Kushtetuese. Por gjithsesi të gjithë gjasat janë që për herë të parë parlamenti të votojë pro shkarkimit të një presidenti në Shqipëri./realstory.al