Mediat gjermane parashikojnë dyfishin e kostos së përmendur nga inxhinieri i ndërtimit Arben Meçe në Real Story për rindërtimin e banesave të shkatërruara dhe dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ku deklarojnë se rindërtimi do të kushtojë 1 miliard euro.
Televizioni gjerman “ARD” ka shkruar gjatë për këtë tragjedi të madhe në Shqipëri, ndërkohë ndalet edhe tek elementi tjetër sfidues për qeverinë, pra tek kostoja e ndërtimit. Sipas ARD-së, rindërtimi i zonave të shkatërruara mund të arrijë në 1 miliard euro, shumë kjo e stërmadhe për kapacitetin që ka sot Shqipëria.
“Shifrat zyrtare nuk janë ende të disponueshme, por rindërtimi i zonave të prekura nga tërmeti do të jetë jo vetëm një sfidë njerëzore dhe teknike, por njëherësh edhe e kushtueshme. Ekspertët thonë se rindërtimi mund të kushtojë deri në një miliard euro. Shumë njerëz dhe kompani në Shqipëri dhe jashtë saj kanë dhuruar tashmë para. Deri më tani, janë mbledhur rreth 15 milion euro. Në afat të shkurtër, do të ndërtohen deri në 5,000 apartamente, në planin afatgjatë edhe 10,000”, shkruan ARD.
Një natë më herët, inxhinieri i ndërtimit Arben Meçe, i ftuar në emisionin Real Story të Sokol Ballës foli për një kosto minimalisht 500 milionë euro për rindërtimin e godinave të shkatërruara nga tërmeti, pa përfshirë këtu edhe kostot sociale për strehimin e familjeve pa banesa.