Patozi zbulon formulën që i duhet PD për të fituar zgjedhjet

AKTUALITET


Sipas ish nënkryetarit të PD-së, tashmë koordinator i Partisë Bindja Demokratike, që PD të fitojë zgjedhjet i duhet të bindë elektoratin gri.

Në një intervistë në Abc News, Patozi  theksoi se opozita duhet të bindë elektoratin “gri” që të rrëzojë qeverinë “Rama”, pasi të vetëm ata nuk do ia dalin të bëjnë ndryshime në politikë.

Ai gjithashtu i ka cilësuar patetike thirrjet e Berishës për mosbindje civile.

 “Është patetike dhe është një lloj serumi që i jepet militantëve për të mbajtur shpirtin gjallë, por

them që nuk zgjidh asgjë. Pse? Palët përpiqen që Shqipërinë ta mbajnë bardh e zi. Qeveria thotë që ne kemi bërë më të mirën, kurse opozita thotë që kjo është një skëterrë ku nuk jetohet, ose duhet të ikë Edi Rama ose të largohemi fare nga Shqipëria. Në fakt Shqipëria ka ngjyrat e veta. Nuk është as bardh, as zi, por që palët i mbajnë në skalionet e tyre të mbledhura është problem i opozitës. Opozita ka nevojë që të marrë shqiptarët që nuk besojnë qorrazi tek partitë se vetëm opozita e ka detyrimin që t’i bindë ata që të rrëzojmë qeverinë sepse vetëm nuk ia del dot kurrë dhe sidomos në kushtet e një opozite të djathtë, e cila ka edhe atë rezervuarin fillestar të votës deficitar në raport me palën tjetër. PD duhet të kalojë ylberin për të marrë elektoratin gri. Pala tjetër është më e relaksuar duke ruajtur thjesht militantët e vet. Në rast se do jetë ndeshje fiton gjithmonë qeveria, por sidomos kur është e majtë që është e dyfishtë”, tha Patozi.

Në vijim, Patozi tha se gjithë procesi për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta ishte i neveritshëm, pasi shkallët e konfliktit që kanë dy institucionet më të rëndësishme të shtetit, retorika që ato përdorin, përveç se kanë thelluar krizën politike, shpreh edhe marrëzi politike.

 “Ndjej neveri për këtë. Ne jemi në një krizë politike e cila nuk është zgjidhur nga 30 qershori. Shpresoj që gushti dhe shtatori të sjellë një lloj qetësie të gjithë personazheve por edhe të gjithë politikës në përgjithësi”, tha Patozi.

Bindja Demokratike ishte e vetmja parti që mori pjesë në zgjedhje dhe u përfaqësua me kandidatët e  saj për kryebashkiakë në gjysmat e bashkive të vendit, por nuk arriti të fitonte asnjë bashki.



Skip to toolbar