Partia Demokratike akuzon prokurorinë se jo vetëm po zvarrit hetimet ndaj kandidatëve për kryebashkiakë të Ramës, por edhe po fsheh informacion dhe po bën çdo përpjekje për të mbrojtur njerëzit e inkriminuar të kryeministrit. Sipas PD-së, që nga data 1 gusht, PD ka paraqitur prova autentike se kandidatët e Edi Ramës në bashkitë Shkodër, Valdrin Pjetri, Vorë, Agim Kajmaku dhe në bashkinë e Vaut të Dejës, Mark Babani kanë të kaluar kriminale dhe si të tillë duhet të largohen dhe të ndiqen penalisht për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Por, sipas selisë blu, prokuroria nuk po zbaton ligjin, duke zvarritur çështjet dhe duke mos i dhënë opozitës informacionin e kërkuar.
“Organi i prokurorisë në shkelje flagrante të ligjit, edhe pse afati është tejkaluar disa herë, ende nuk ka vënë në dispozicion të kërkuesit dokumentacionin e kërkuar, duke na pamundësuar ushtrimin e të drejtave tona ligjore dhe duke mos bërë transparencë për opinionin publik mbi këto raste.
Kjo sjellje e organit të prokurorisë ngre dyshime të arsyeshme mbi tentativën shtetërore për marrjen në mbrojtje të personave të inkriminuar që kanë arritur, me mbështetjen e partisë në pushtet, të uzurpojnë funksionet publike, në kundërshtim flagrant me ligjin e dekriminalizimit.”- thekson sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.
Duke kërkuar edhe një herë zyrtarisht informacion për procedurat e ndjekura nga prokuroria për të treja rastet, PD u bën thirrje prokurorëve të ngarkuar me këtë çështje, të mos i nënshtrohen presionit politik të Edi Ramës dhe Arta Markut.
“Kapja e qeverisjes nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale, në pushtetin vendor, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, si dhe për vetë sigurinë kombëtare, interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve. Ndëshkimi i zyrtarëve të lartë është një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për nisjen e bisedimeve të antarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian.”- thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.
Për Valdrin Pjetrin e Shkodrës PD publikoi dokumente se ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga Italia për trafik droge. Për Agim Kajmakun e Vaut të Dejës se ishte në kërkim nga Greqia për veprën e rëndë të përdorimit të parave të falsifikuara. Për Mark Babanin e Vaut të Dejës, PD tha se kishte bërë burg dhe ishte dëbuar për vjedhje makinash më Itali.