Partia Demokratike e Shkodrës ka njoftuar se ditën e hënë do të organizojë një protestë paqësore për të kundërshtuar konstituimin e këshillit të ri bashkiak të qytetit të Shkodrës, të cilin ajo e cilëson të paligjshëm.
Përmes një deklarate të shpërndarë të shtunën, PD e Shkodrës i bën thirrje edhe rektoratit të Universitetit Luigj Gurakuqi, ku është njoftuar se do të zhvillohet mbledhja e këshillit të ri bashkiak, që të mos vërë në dispozicion ambientet dhe të ruaj asnjëanësinë.
“Përpjekja e 30 qershorit për të instaluar një pushtet monist është refuzuar në mënyrë plebishitare nga elektorati i Shkodrës.
Çdo përpjekje për të injoruar me arrogance mesazhin e shumicës së qytetarëve të Bashkisë Shkodër, përmes thirrjeve te paligjshme për mbledhjen e institucioneve moniste të demaskuara tanimë botërisht i konsiderojmë një provokim ndaj rendit normal të punëve në komunitetin tonë dhe përsëritje e veprimeve dhunuese, që kasta puniste e ushtarakëve të përdorur të Tiranës kërkon t’i rinovojë 30 vite pas përmbysjes së regjimit të etërve.
I bëjmë thirrje Rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” të ruajë strikt asnjanësinë institucionale dhe të mos e përziejë auditorin e dijes universitare në lojën e pisët të partisë socialiste.
E njëjta thirrje i adresohet çdo drejtuesi tjetër rajonal ku shpura e të bojkotuarve do të kërkojë të fshihet për të kryer një akt të paaprovuar!”, shkruhet në deklaratë.
PD gjithashtu i bën thirrje Ramës që t’i mbajë duart larg nga Shkodra dhe të mos krijojë përplasje qytetare.
“Thirrja dhe akuza kryesore i drejtohet Edi Ramës: Larg duart nga Shkodra dhe mos e shndërro kryeqendrën e Gegnisënë një fushëbetejë të parë të përplasjes së reparteve tuaja paramilitare me qytetarët e lirë!
Ju duhet t’i kërkoni falje dhe të tërhiqeni nga Shkodra në pritje të garës së ndershme dhe jo të vijoni aksionin uzurpues ndaj saj!
Qytetarëve të Shkodrës i bëjmë thirrje që ditën e hënë të bashkohen me anëtarët e Këshillit Legjitim Bashkiak, deputetë dhe kryesinë për të protestuar paqësisht në mbrojtje të autonomisë vendore, të drejtave pluraliste dhe demokratike që shoqëria shkodrane ka promovuar në histori”, njofton PD e Shkodrës.
Në bazë të ligjit, pavarësisht se kryebashkiaku i ri dha dorëheqjen, këshilli i ri bashkiak i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit duhet të konsituohet dhe të vijojë punën normalisht. Kjo është një procedurë normale ligjore, pavarësisht faktit se është dorëhequr kryebashkiaku. Me konstituivin e këshillit bashkiak gjen zgjidhje edhe ngërçi në bashkinë e Shkodrës siç ka shkruar më herët Realstory.al.
Mbledhja e Këshillit të ri Bashkiak është thirrur nga prefekti i Shkodrës dhe do të zhvillohet ditën e hënë në orën 10, në ambientet e universitetit Luigj Gurakuqi.