Duket se demokratët vazhdojnë të jenë të paqartë për hapat që do të ndërmarrin pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërsa Rama është shprehur i gatshëm për të nisur dialogun me Bashën, nga ana e PD ende nuk ka një zë që ta pohojë një gjë të tillë.
Kjo u vu re në intervistën që Gazmend Oketa dha të dielën në studion e Sokol Ballës në Vizion plus.
Gazmend Oketa në kohën e qeverisë Berisha ka mbajtur postin e zv.kryeministrit. U largua nga PD dhe themeloi partinë FRD me Bamir Topin. Por së fundi është rikthyer sërish në gjirin e PD-së.
Gazetari Balla e pyeti disa herë Oketën, se pas zgjedhjeve të 30 qershorit çfarë do të bëjë PD, a do të jetë ajo e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve me kryeministrin Rama?
“Ju keni 6 muaj që thoni Rama ik, por ai nesër do jetë sërish kryeministër? 6 muaj vepruat në një taktikë që nuk prodhoi rezultat. Sot jemi në një vend ku kemi një opozitë që nuk njeh maxhorancës. Kemi një maxhorancë që nuk njeh presidentin. Rama ka thënë jam gati të ulem të flas me Bashën që të hënën. A jeni gati të uleni të flisni?, pyet Balla.
Por Gazmend Oketa iu shmang pyetjes në përgjigjen e tij, ndërsa hodhi akuza drejt Ramës pa zbuluar se cili do të jetë hapi i radhës i PD-së pas zgjedhjeve të së dielës.
“Ne kemi një kryeministër që nuk njeh askënd në këtë vend, as president, as gjykatë, as prokurori, as opozitë. Ka një grup me 5 vetë që i ka vënë emrin Rilindje dhe me ata qeveris. Këtu është një individ që ka marrë peng gjithçka. Nesër ai me të vetën mendon se mori 61 bashki. Ndërkohë kemi dy dekrete të presidentit që i ndan gjykata kushtetuese nëse qëndrojnë ose jo. Nuk po them që ka të drejtë presidenti. Unë jam për të respektuar institucionet. Përsa kohë që kemi një institucion të presidentit të cilit Kushtetuta i jep të drejtë të dekretojë datën e zgjedhjeve, mendoj ta respektojmë. Jam i prirur pavarësisht pozicionit politik, nuk po marr pozicionin që të them është ashtu siç thotë presidenti. Por them hajde shkojmë në gjykatë kushtetuese ta vendosë gjykata. Ne i qëndrojmë, në datë 30 nuk ka zgjedhje”, tha Oketa.