Ish kryetari i PD-së dhe ish ministri i Jashtëm, Tritan Shehu beson se institucionet amerikane do t’i japin fund atë që ai e quajti si komplot ndaj Berishës, non grata-n ndaj tij. Në një lidhje live për emisionin “Real Story”, ai deklaroi se reforma në drejtësi është bërë për t’i dhënë pushtet Edi Ramës.
Sipas tij, PD gaboi kur pranoi që të votonte pa marrë garancinë për disa nga ndryshimet kushtetuese. Ai thotë se ndryshimi i disa ligjeve u bënë siç deshi kryeministri Rama dhe se kjo gjë e rrënoi reformën.
“E vërteta do të dalë gjithmonë. SHBA janë një vend që në fund të fundit e nxjerr të vërtetën. Institucionet amerikane nuk mund të jetojnë me një komplot të bërë kundër Berishës. Dua të them se kjo reformë në drejtësi është pseudo reformë për t’i dhënë pushtetin e drejtësisë Ramës. Gabimi i PD është që ra në kurthin e atyre që inicuan këtë reformë dhe e votuan ndryshimet kushtetuese. Kur votuan ndryshimet kushtetuese, u bë një premtim dhe dha garanci nga ish ambasadorja amerikane që të 7 ligjet që implementonin ndryshimet kushtetuese, do të bëheshin në konsensus.
Ndodhi që vetëm ligji i byrosë investigative u bë me konsensus, të 6 të tjerët i bëri Rama si deshi. U shkel marrëveshja e parë e bërë, dhe garanci nuk pati. Gabimi ka qenë ky, që PD përpara se të jepte votën, duhet të kërkonte të zbatoheshin ligjet. Kjo solli shtrembërim dhe kokposhtësinë, e vuri kokposhtë të të gjithë reformës në drejtësi, e ktheu në një instrument të regjimit për të goditur opozitën.
A mendon se në një regjim do të ketë drejtësi të pavarur?
E them dhe e kam thënë është komplot që u gatua në Tiranë dhe përfundoi në Uashington me McGonigalët e shokë, me populistët e majtë ekstremë dhe radikalë, që e bën këtë punë për të krijuar një mburojë për përjetësinë e pushtetit të Ramës.“, tha Shehu./abcnews.al