PD kallëzon në SPAK Ramën: Ka abuzuar me ligjin për investimet strategjike në rastin e Olta Xhaçkës

Më të fundit


Deputeti Gazment Bardhi, në emër të Grupit Parlamentar të PD ka depozituar sot në SPAK një kallëzim penal kundër kryeministrit Edi Rama për shpërdorim detyre.
Bëhet fjalë për rastin e dhënies së statusit investitor strategjik dhe pasurive publike në përdorim për bashkëshortin e Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhacka. Sipas PD, bashkëshorti i ministres Xhaçka ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himar.

Shoqëria në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes znj. “Olta Xhacka ka përfituar masën mbështetëse të lejimit të përdorimit të bregut para hotelit për një periudhë 30 vjeçare, si dhe përfiton nga incentiva e reduktimit të TVSH-së”, lexohet në njoftimin e PD-së.
Kjo për demokratët është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve ligjore të parashikuara në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. “Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e tij si epror i Ministres Olta Xhacka, por edhe si Kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, ka përgjegjësinë ligjore për të zbatuar ndalimet e parashikuara nga ligji nr. 9367, datë 7.4.2005 “për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ku qartësisht specifikohet se deputeti/ministri nuk mund të përfitojë përdorimin e pronave publike dhe se ky rregull vepron njëlloj edhe për bashkëshortin/en e tij”- thuhet në kallëzimin e firmosur nga deputeti Gazment Bardhi.

Në kallëzim evidentohet gjithashtu fakti se sipas ligjit në fuqi në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e bshkëshortit, ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë deputetit/ministrit dhe bashkëshorit të tij/saj i kufizohen të drejtat pasurore për to, në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë deputetit/ministrit.
Kallëzimi penal ndaj Edi Ramës vjen një ditë pasi një grup deputetësh të Partisë Demokratike i kërkuan Kuvendit që të nisin procedurat për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit për Olta Xhaçkën.



Skip to toolbar