PD-LSI kundër paketës Anti-KÇK: Dublon SPAK

AKTUALITET


Konfirmimi i 8 prokurorëve të SPAK u realizua pikërisht në ditën kur kryeministri Rama prezantoi paketën anti-KÇK që synon të luftojë prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar që bashkëpunojnë me krimin, por opozita në një zë është shprehur kundër kësaj paketë duke thënë se përmes saj Rama kërkon të bllokojë SPAK dhe BKH. Dy partitë kryesore të opozitës, PD dhe LSI mbajtën qëndrim të njejtë duke thënë se Rama përmes kësaj nisme synon t’i marrë kompetencat SPAK dhe BKH-së.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se përmes kësaj pakete Rama synon të krijojë një polici politike, ndërsa e akuzoi atë si sabotuesin kryesor të reformës në drejtësi.

“Krijimi i policisë politike, asaj që na lançojë kryeministri në ikje, kryeministri ynë i lodhur dhe ai që mund të themi i kapur nga krimi i organizuar, vazhdon dhe provokon. Sot që ngrihet SPAK dhe Byroja e Hetimit, që për më shumë se 2 vitesh është mbajtur peng nga Edi Rama dhe grupi i tij, sot ai na lançon KÇK e famshme, policinë politike të tij. Deri më sot kemi pasur një polici që ka qenë avokate e ethshme, avokate me një dashuri të jashtëzakonshme për krimit të organizuar, për bandat kriminale, për grabitësit e pronës publike, për koncesionarët, për oligarkët, por kemi pasur një polici persekutore të qytetarëve dhe tradhtare të aksioneve të partnerëve tanë ndërkombëtarë përsa i përket trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Kemi parë sesi tradhtoheshin, sesi spiunoheshin aksionet e partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Shikojmë sesi një polici e tillë dhe se si një ligj i tillë vendoset në mënyrë paralele për të shkatërruar provat për byronë e hetimit dhe SPAK-un, një polici e tillë dhe një strukturë e tillë që vendoset në mënyrë paralele për të penguar hetimin e veprave korruptive të Edi Ramës”, tha Kryemadhi.

Për të kundërshtuar paketën anti-KÇK, PD angazhoi sekretarin e përgjithshëm, Gazement Bardhi, i cili ishte në të njejtën linjë mendimi me Kryemadhin e LSI-së.

“Në ditën e ngritjes së tij, SPAK ka përballë të njëjtin kundërshtar që e pengoi për 3 vjet me rradhë. Me një shfaqje qesharake propagandistike, Edi Rama, njoftoi dublimin me ligj të SPAK-ut dhe BKH-së, duke i dhënë policisë kompetenca që Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi 4 vjet më parë

Në thelb, ligji RKÇK – Rama Kap ÇA T’KAPËSH – nuk ka asnjë masë të re domethënëse nga ligjet ekzistuese kundër krimit të organizuar dhe mafias.

Masat e prezantuara janë sot ose në Kodin Penal, ose në ligjin antimafia. E reja e vetme e ligjit “Rama Kap Ça t’Kapësh” është marrja e kompetencave të SPAK-ut dhe BKH-së, duke ia dhënë ato një grupi nën kontrollin e Kryeministrit.

Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të ringjallur një plan të vjetër, të paligjshëm dhe të dështuar, nga një njëri që i kanë shteruar idetë dhe kërkon që dështimin e tij ta shesë për sukses”, tha Bardhi, i cili theksoi dhe njëherë se rikthimi i modelit të shtetit policor është rrëzuar më parë si antikushtetues.



Skip to toolbar