Deputeti i PD-së, Arbi Agalliu, gjatë emisionit “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, përsëriti edhe njëherë propozimet e partisë për Reformën Zgjedhore. Ai thotë se PD ka një program që i jep zgjidhje problemeve të mëdha dhe minimizon dëmet që ka pësuar shoqëria shqiptare në 30 vite.
“Kjo klasë politike nuk është e interesuar të ndryshojë këtë Kod Zgjedhor. Ndaj, në këtë kontekst, kemi bërë këto propozime që do të doja të dija nga kolegët që kërkojnë me të gjitha mënyrat dhe të ndryshojnë përbërjet e komisionit se cilat janë ofertat që japin.
A janë dakord me listat e hapura, që të kemi barazi të votës, votim dhe numërin elektronik, votën e diasporës?
Këto janë propozime që i bëjnë shqiptarët të besojnë dhe të bëjnë dallimin midis palëve, në të kundërt çdo gjë tjetër, është ajo që kush palë i shërben kujt pale. Kjo situatë në PD, është krijuar me shpalljen e Berishës non grata, dhe me deklaratën e ambasadores amerikane se do të hani bar. Nëse shqiptarët nuk e kuptojnë se duhet të shkëputen nga e shkuara korruptive e PD dhe klasës së vjetër. Ne kemi mbajtur një qëndrim të tillë sepse besoj se lufta kundër korrupsionit, mbështetja e sistemit të drejtësisë, partneriteti me SHBA, Britaninë, BE janë themelet ku duhet të mbështetet PD. Kushdo nga kolegët që beson në këto shtylla e ka derën e hapur. Kushdo që luan me dy porta dhe mendon se do bëjmë luftën anglo amerikane, ka ndërtuar Enver hoxha bunkere pafund, të shkojnë dhe të futen aty.”, u shpreh Agalliu.
Ndërkohë, analisti Mentor Nazarko tha se PD nuk ka propozuar një ofertë të re elektorale. Ai përmendi gjithashtu edhe faktin që PD nuk po ndahet nga e shkuara, duke e ilustruar këtë me faktin që partia nuk ka reaguar për Sali Berishën, i cili është në probleme me drejtësinë për çështjen Partizani.
“Këta janë instrumente, por jo një ofertë e re elektorale. Nëse Rama ka arritur ta shndërrojë partinë, e ka hapur fizarmonikën e interesave që përfaqëson, mbi ngjyrat ideologjike. Nuk shoh tek ju një reflektim tërësor, qoftë distancim nga e kaluara sepse marrim çështjen e Partizanit. Berisha thotë dhe bëhet bartës dhe mbrojtës i interesave të ish pronarëve ndërkohë që problemin më të madh PD e ka me ish pronarët. Pra nuk shoh të reagoni ndaj tij për këtë çështje apo ofertë tërësore, një lloj emëruesi i përbashkët i shtresave të djathta.”, theksoi Nazarko./abcnews.al