Opozita paralajmëroi javë më parë, se pas datës 18 tetor, kur do të vendosej për hapjen ose jo të negociatave me BE, do të rikthehej te protestat. Por ndonëse kaloi një javë nga ajo datë, opozita nuk ka vendosur për protestat. Gazmend Bardhi lë të kuptohet se ato do të jenë të largëta, të paktën për momentin, pasi sipas tij, opozita do të fokusohet për plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave. “Opozita, PD, ka thirru protesta, edhe në të ardhmen do thërrasë protesta, sa herë të jetë e nevojshme për të sensibilizuar shqiptarët e ndërkombëtarët mbi atë që ndodh në vend. Ende nuk ka një datë për protestat, për shkak se ne gjykojmë që duhet të përqendrojmë energjitë tona në përmbushjen e kushteve që Shqipëria të afrohet sa më parë me BE”, u shpreh numri dy i PD.
Pak ditë pasi u publikua drafti i ekspertëve të thirrur nga Komisioni i Reformës Zgjedhore në Kuvend, PD pritet të propozojë pika të tjera në lidhje me financimin e partive, fushatave zgjedhore dhe administrimin e procesit, në vazhdën e punës për reformën zgjedhore. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News 24, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, u shpreh se PD ka gati platofrmën e saj. “Kemi gati platformën tonë mbi financimet e partive politike dhe fushatave zgjedhore dhe administrimin zgjedhor, por është përcaktuar edhe kalendari për çështje e tjera. Ne kemi gati dy nga çështjet, por reforma ka më shumë se nga këto dy çështje, Ajo që është e rëndësishëm është që palët duhet bëhen bashkë për ta bërë reformën”, tha Gazmend Bardhi.
Gazmend Bardhi u shpreh se kjo reformë duhet të jetë vullnet i të gjitha partive. “Reforma zgjedhore nuk mund të jetë i njërës palë, por produkt i të gjitha partive politike. Në këtë këndvështrim ne jemi të gatshëm, dhe ne presim palën tjetër të tregojë vullnet politik. Të dyja palët duhet të gjejnë konsensusin për një produkt të caktuar”.
Megjithatë, duke iu përgjigjur Taulant Ballës, që deklaroi se reforma do të kalojë në Komisionin e Kuvendit, Bardhi u shpreh se “kjo është një tentativë e qartë për t’i bërë partnerët ndërkombëtarë dhe shqiptarët për budallenj. Para se të flasim për një proces teknik, ne duhet të flasim në nivel politike. Duhet gjetur vullneti për ta realizuar reformën zgjedhore që duan të gjithë shqiptarët. Opozita politike në vend, nuk janë anëtarë në Komisionet Parlamentare, sepse ne nuk jemi në parlament dhe ne kemi thënë se Kuvendi është ilegjitim, për të gjitha arsyet që në kemi propozuar”, tha Bardhi.
Sipas Gazmend Bardhit, nëse zgjedhjet do të zhvillohen në kushte të barabarta, opozita i fiton ato. Ai shprehet se për PD nuk është problem Edi Rama. “Zgjedhjet e viteve të fundit kanë treguar se Rama nuk ka vullnet për të përmbushur atë që duhet të përmbushë çdo kryeministër në një proces zgjedhor. Nëse palët marrin pjesë në barazi në një proces zgjedhor, PD dhe koalicioni opozitar mund PS dhe padyshim edhe Edi Ramën. Pra, nuk është problem për ne Rama”, u shpreh Bardhi.
Opozita duket sikur lëshon pe, sa i përket kushtit për zgjedhjet e parakohshme, pavarësisht se shprehet se sa më parë të mbahen aq më mirë do të ishte. Por, sipas Gazmend Bardhit, për Partinë Demokratike nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve, por standardet. “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë sa më shpejt të jetë e mundur janë mundësia e vetme që jo vetëm vendi të dalë nga kriza, por t’u jepet mundësi edhe qytetarëve për një qeveri që punon për interesin e tyre. Detyra e opozitës është të mundësojë zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk është problem koha kur mbahen zgjedhjet, por e rëndësishme është të jenë të ndershme e të lira”, u shpreh ai.