Penalltia shpëton Bylis në Gjirokastër

SPORT


Luftëtari ka barazuar 1-1 me Bylisin në takimin e parë të së shtunës të vlefshëm për javën e 8-të të Kategorisë Superiore. Ballshiotët shkonin në Gjirokastër me synimin për të marrë tre pikët dhe të ruanin hapin e Teutës kryesuese, por në fund është kënaqur me një pikë, që gjithsesi nuk ia prish shijen nisjes fantastike të sezonit nga ana e mallkastriotëve.

Në fakt, Bylisi ka qenë më pranë golit, sidomos në pjesën e parë. Por fillimisht Dovedan detyrohet të largojë sulmuesin Guindo nga fusha që në minutën e 3-të pas një përplasjeje të ashpër me Lalën e Luftëtarit. Guindo largohet me barrelë dhe më pas me ambulancë drejt spitalit. Më pas mallakastriotët shohin trarët e portës t’u mohojnë golin dy herë dhe në të dyja rastet është Ntepe që frenohet nga traversa dhe më pas nga shtylla e Qyranit.

Por pavarësisht vrullit të miqve, pjesa e parë ndahet pa gola dhe të parët që do të shënojnë do të jenë bluzinjtë, kur Açka në minutën e 62-të do të gjuajë saktë me kokë nga zhvillimet e një këndoreje dhe kalon në epërsi Luftëtarin. Bylisi do hidhet në sulm dhe në minutën e 71-të Enea Jorgji do e cilësojë faull ndërhyrjen e Açkës në zonë ndaj Goxhës dhe do të akordojë një penallti që kontestohet fuqishëm nga Luftëtari dhe nga tifozët në shkallët e stadiumit.

Gjithsesi, Isli Hidi nuk do të gabojë dhe do të thyejë homologun e tij gjirokastrit me një goditje të saktë me të majtën. Minutat e mbetura do të luhen mes një klime të acaruar. Trajneri Mantas është i papërmbajtshëm në stol, ndërsa publiku ka si shënjestër kryesorin Jorgji, por deri në fund nuk do të ketë më gola dhe dy skuadrat do të largohen me nga një pikë nga ky 90 minutësh.



Skip to toolbar