Pendarovski: Nuk ka vdekur ende ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

AKTUALITET


Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski deklaroi se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ‘vdekur’ ende. Pendarovski ka thënë se kjo ide vazhdon të diskutohet nga politikanë e ekspertë të rajonit.

“Jo, ende jo (nuk ka vdekur ideja e shkëmbimit të territoreve). Ju e dini që kjo ide erdhi publikisht nga nivelet më të larta të mundshme politike, erdhi nga ish-këshilltari për Sigurinë kombëtare i presidentit amerikan, z. John Bolton. Ai tashmë nuk është pjesë e administratës për arsye krejt të tjera, por aty-këtu dëgjoj njerëz nga rajoni, politikanë, ekspertë, që ende rreken me këtë ide”, -tha Pendarovski në një intervistë në RTSH, ndërsa ka theksuar se “kjo është ide e rrezikshme”.

Ai ka thënë se zgjidhja e konfliktit të hershëm mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të vijë pa një ndërhyrje të drejtëpërdrejtë të Uashingtonit në rajon.

“Së pari, nuk mund të ndjekësh shpërndarjen etnike të popullsisë në rajon. Nëse ti e nis diku, për shembull në Kosovë dhe do të vijosh pastaj me zona të tjera, çdokush e di që në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë në vetvete, ne jemi heterogjenë në pikëpamjen etnike dhe fetare. Prandaj, teza ime kryesore është se do të doja të shihja që problemi i Kosovës, problemi ndërkombëtar i Kosovës, të zgjidhet. Pse?! Sepse të dyja këto vende janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. E njëjta gjë me Serbinë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mira me të dyja vendet, dhe për ata që të kenë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe me njëri-tjetrin. Por nuk është gjë e mirë që të mbyllësh një problem, problemin e Kosovës dhe të hapësh 2 apo 3 probleme të tjera në rajon. Ju e dini, sikundër dhe unë, që rreth 30 vjetët që kanë kaluar na kanë treguar se pa një përfshirje serioze të SHBA-së nuk është e mundur që BE-ja e vetme t’i zgjidhë krizat dhe problemet e kësaj natyre. Ne patëm një krizë tonën në vitin 2001, patëm konflikt në territorin tonë dhe pas kësaj nënshkruam marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe atëherë ndërmjetësuesi i BE-së punonte ngushtësisht me ndërmjetësin amerikan. Unë nuk mendoj që pa një përfshirje aktive nga Uashingtoni, do të shohim një zgjidhje të qëndrueshme të këtij procesi”, -deklaroi presidenti maqedonas, Pendarovski.



Skip to toolbar