Sipërmarrësi italian Davide Pecorelli ka rrëfyer përse sajoi vdekjen në Shqipëri dhe u zhduk për 8 muaj me radhë.
Në një intervistë për median italiane “La Nazione”, Pecorelli ka thënë se u zhduk për shkak të problemeve financiare që ai kishte me bankat, pasi biznesi i tij filloi të falimentonte për shkak të pandemisë së Covid-19.
“U persekutova nga kreditorët. Kohët e fundit më kishin kërkuar dyqanin Sansepolcro duke më kërcënuar. Isha pa asnjë Euro në xhep. As për karburant nuk kisha. Kisha futur në telashe edhe partneren time. Më vriste ndërgjegjia për fëmijët e mi. Babai më ka mësuar gjithmonë që ta paguaj borxhet deri në qindarkën e fundit, por për fat të keq kriza nga Covid më shkatërroi”, thotë ai.
-Donit t’i jepnit fund?
Pecorelli: Kur u nisa për në Shqipëri jo. Kërkova një shans të fundit. Fillimisht në Shkodër e në Tiranë duke u përpjekur të shisja produkte kozmetike dhe një aparaturë me vlerë 100 mijë Euro. Pastaj në Pukë.
-Po më pas?
Pecorelli: Kërkova një prift për t’u rrëfyer. Do t’i jepja fund jetës. I kisha humbur shpresat. Prifti tha se kishte një opsion tjetër.
-Pra ishte ai që propozoi të organizonit vdekjen?
Pecorelli: Po, më ndihmoi dhe ai. Por nuk është e vërtetë që i morëm eshtrat nga një varr tjetër. Makinën duhet ta hidhnim nga shkëmbi, por nuk mundëm ta shtynim poshtë.
-Si quhet prifti?
Pecorelli: Nuk do ta tregoj kurrë.
-U tha se ishit në Medjugorie, por dolët në Vlorë?
Pecorelli: Prifti më tha se mund të shkoja në një vend ku askush nuk do të më kërkonte. Për 4 muaj kam qarë.
-Po në Vlorë?
Pecorelli: Është e vërtetë, kam qenë atje, por nga data 7 Maj.