Për herë të parë prej më shumë se 100 vjetësh festa e karnavaleve në Rio de Zhanejro, që zhvillohet në muajin shkurt, do të shtyhet për shkak të koronës.
Organizatorët e shoqatës së shkollave të kërcimit samba “Independent League of Rio de Janeiro Samba Schools” (Liesa) thanë se paradat e grupeve të kërcimit samba në Sambadrom do të shtyhen për një kohë të pacaktuar.
“Ne arritëm në përfundimin se kjo ngjarje e madhe duhet të shtyhet,” tha shefi i “Liesas” Jorge Castanheira. Shkollat e sambës nuk kanë kohë dhe burime të mjaftueshme financiare dhe organizative për të përgatitur paradat e karnavaleve deri në shkurt në mes pandemisë së koronës, shpjegoi Castanheira. Por kjo nuk do të thotë që paradat do të anulohen plotësisht: “Ne po kërkojmë zgjidhje alternative, që të bëjmë diçka kur të jetë përsëri e sigurt” – tha ai duke shtuar se nuk mund të thotë një datë të saktë.
Ende është e paqartë nëse festimet në rrugë do të anulohen gjithashtu, sepse për këtë vendosin autoritetet lokale. Çdo vit Karnavalet në Rio tërheqin miliona turstë vendas dhe të huaj që festojnë në rrugë dhe në plazhe dhe ndjekin garën e shkollave të kërcimit samba.