Kryeministri Boris Johnson dha dje dorëheqjen nga posti i tij pas skandaleve të njëpasnjëshme dhe braktisja e detyrave nga ministrat.
Pas deklaratës së tij situatat në Britaninë e Madhe nuk janë qetësuar, pasi “The Times” ka publikuar së fundmi shifrat e larta që politikani ka përdorur për të rregulluar shtëpinë e tij.
“The Times” ka publikuar fondet e skandalit të vjetër ku Johnson është përfshirë, duke kërkuar ndihma nga financuesit e fushatës së tij por edhe nga buxheti i qeverisë për të rinovuar apartamentin në Downing Street Nr.11.
Rinovimi i apartamentit ka kushtuar më shumë se 200,000 mijë paund dhe kjo është zbuluar nga publikimi i një kopjeje të faturës së shpenzimeve.
Artikujt që Johnson dhe gruaja e tij Carrie porositën nga “Soane”, një kompani e udhëhequr nga stilisti i Lulu Lytle, ishte një karrocë pijesh 3,675 paund, e bazuar në atë që zotërohej nga balerini i ndjerë Rudolf Nureyev, raportoi The Independent.
Çifti bleu letër muri me ngjyrë të artë me vlerë 2260 paund, një palë divane kushtuan më shumë se 15,000 paund dhe 3,000 paund u shpenzuan për bojën në sallë.
Ata shpenzuan 4,200 paund për një karrige antike, 7,000 për një qilim, 6,000 për një llambë dhe 2,500 paund të tjera për hijen.
Fatura për tapetat dhe perdet ishte 21,280 paund dhe mbulesë tavoline 500 paund.
Vetëm kostoja e bojës dhe instalimit shkoi 30,000 paund duke e çuar totalin shumë më tepër se buxheti vjetor prej 30,000 paund që u jepet kryeministrave nga Thesari për banesën e tyre.
Lordi Brownlow i Shurlock Row, një nga kolegët konservatorë duhej të financonte pjesën tjetër, por pas kritikave publike Johnson pranoi të paguante vetë për mobiliet e reja.
Geidt zbuloi se Johnson nuk e kishte thyer kodin ministror mbi marrëveshjen. Komisioni Zgjedhor e gjobiti Partinë Konservatore me 17,800 paund për “mos raportimin e saktë të një donacioni”.
Duke qenë se Zyra e Kabinetit ka financuar një pjesë të rinovimit, është e paqartë se cilat blerje do të lejohet të marrë me vete Johnson.