Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri Raul Gonzales Montero thotë se masat e marra nga shteti shqiptar janë në kohën e duhur dhe në përputhje me rekomandimet e dhëna.
I ftuar në “Real Story” në News24, Gonzales u shpreh instruksionet e dhëna që në fillim janë për kufizimin e burimit të kontaktit, larja e duarve dhe shmangia e grumbullimeve.
“Masat që ka marrë qeveria janë në përputhje me rekomandimet e OBSH. Masat janë marrë në kohën e duhur. Ne rekomandojmë gjëra shumë të qarta. Theksojmë se duhet të kufizohet burimi i kontaktit, duhet të lajmë duart, të shmangim grumbullimet masive të njerëzve. Këto instruksione janë dhënë që në fillim. A mund të ishin marrë më para këto masa, a duheshin bërë më herët? Ne nuk mund të hedhim hapa në mënyrë të verbër. Tani ishte momenti për këto masa por nuk mund ta bllokojmë një vend. Nevoja e masave duhet të ekuilibrohet me kapacitetet e vendit dhe ecjen para të ekonomisë. Në qoftë se njerëzit mbeten pa punë nuk kanë para për ushqimet e për të paguar faturat”, deklaroi Gonzales, duke e krahasuar situatën të ngjashme me krizën e 2008 për sa i përket ekonomisë.
Ai tha që mbyllja e vendeve nuk është parë si mundësi pasi ka pasur vende që e kanë bërë dhe s’ka pasur rezultat. “Ne kemi dhënë rekomandime të qarta. Iu kemi dhënë këshilla shteteve të mos mbyllin kufijtë. Vendet janë të pavarura dhe të marrin vendimet e tyre. Mbyllja e kufijve nuk është zgjidhje. Ka vende që e kanë bërë e s’ka pasur rezultat. Kur e ke infeksionin ai ngelet në vend dhe do përhapet. Mbyllja e vendeve, anulimi i fluturimeve nuk jep rezultat. Itali i ka bërë dhe këto masa mund të jenë të përshtatshme tani”, u shpreh kreu i OBSH në Shqipëri.