Një zjarr ka shpërthyer në një hotel në vendpushimin e skive Kartalkaya, në provincën Bolu të Turqisë veriperëndimore, duke shkaktuar të paktën 10 viktima dhe 32 të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 3:27 sipas orës lokale, në restorantin e një hoteli 12-katësh, ku ndodheshin rreth 234 persona. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya në një postim në X.
“Sot në orën 3:27 të mëngjesit u raportua për një zjarr në një hotel në vendpushimin e skive Kartalkaya. Për fat të keq, numri i të vdekurve është rritur në dhjetë dhe numri i të plagosurve në 32”, njoftoi ministri në X.
Sipas mediave italiane, Guvernatori Abdulaziz Aydin tha se dy nga 10 viktimat vdiqën pasi u hodhën nga paniku nga ndërtesa që digjej. Zyra e Aydin tha se 30 makina zjarrfikëse dhe 28 ambulanca u dërguan në vendngjarje për të shuar zjarrin.
Pamjet e transmetuara nga mediat lokale, tregojnë flakët që kanë përfshirë çatinë dhe katet e sipërme të hotelit.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa ekipet e emergjencës janë duke punuar për të përballuar situatën dhe për të ofruar ndihmë të menjëhershme.