Përgjimet dhe shtëpia e ndarë më dysh

OPINION


Nga Eduard Zaloshnja

Në zgjedhjet presidenciale të 1960-ës, zv.vpresidenti Nikson humbi ndaj senatorit Kenedi, në garën më të diskutuar në historinë e SHBA-së. Në asnjë garë tjetër presidenciale amerikane (përveç 1960-ës), nuk ka patur indicie për mbushje të kutive të votimit. (Ka patur probleme me makinat e numërimit të votave, si f.v. në vitin 2000, por jo mbushje të kutive).

Nga përgjimet që i kishte bërë FBI-ja para zgjedhjeve të 1960-ës kryebashkiakut të Çikagos dhe bashkëpunëtorëve të tij mafiozë (për çështje të palidhura me zgjedhjet), rezultonte se ata kishin orkestruar mbushjen e kutive të votimit në favor të Kenedit. Në Ilinois, Kenedi fitoi me vetëm 0.1% të votave, duke siguruar plot 21 përfaqësues të tij në Kolegjin Elektoroal.

Indicie të ngjashme kishte edhe në Teksas, ku Lindon Xhonson, zv.kapiteni i Kenedit, mbretëronte elektoralisht për dekada. Në Teksas, FBI-ja nuk pati përgjime për mbushje kutish, por në disa kuti rezultatet ishin aq të çuditshme, sa të bënin të mendoje se ishin mbushur në favor të Kenedit. Si rezultat, ai fitoi në Teksas me vetëm 0.3% të votave, duke siguruar plot 30 përfaqësues të tij në Kolegjin Elektoral.

Në përfundim, Niksoni kishte pakicën në Kolegjin Elektoral, por do të kishte patur shumicën (270-252) në qoftë se nuk do të kishin ndodhur çudirat e Illinoisit dhe Teksasit. Dhe ç’bëri ai?

Duke iu referuar thënies së Linkolnit se “një shtëpi e ndarë më dysh nuk mund të qendrojë gjatë në këmbë”, Niksoni pranoi humbjen, duke deklaruar se nuk mund ta çonte vendin në një luftë të dytë civile, për diçka që do të donte vite të provohej në gjykata. Dy zgjedhje më pas, ai u zgjodh president i SHBA-së.

Vijmë tani në Shqipëri.

Janë publikuar përgjime nga Zëri i Amerikës dhe nga Bild, të cilat japin indicie të forta se kryebashkiaku i Durrësit ka bashkëpunuar me mafiozë për të siguruar vota për PS-në në zgjedhjet e 2017-ës. Dhe në fakt, në qarkun e Durrësit, PS-ja mori më shumë vota se sa kishte marrë ajo dhe partitë satelite në zgjedhjet paraardhëse. I vetmi qark tjetër ku ndodhi kjo gjë, ishte Kukësi. Por për këtë qark ende nuk kanë dalë përgjime.

Sidoqoftë, në Kukës, PS nuk mori dot ndonjë mandat më shumë seç kishte marrë në zgjedhjet paraardhëse. Ndërsa në Durrës, PS-ja mori një mandat “të pamerituar” – mandatin e Agron Dukës, i cili ishte i pesti në listën e PD-së. Me këtë mandat ekstra, PS-ja shkoi në kuotën e 74 mandateve, ndërkohë që Tom Doshi (i PSD-së)  kishte deklaruar paraprakisht se votën e tij në Kuvend do ta bashkonte me PS-në.

Përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës shërbyen si shkëndija për kursin aktual ekstrem të opozitës. Ndërsa përgjimet e publikuara së fundmi nga Bild e kanë përforcuar këtë kurs, duke rritur rrezikun e një përplasje civile në 30 qershor, ditën e dekretuar nga Presidenti i Republikës për zgjedhjet lokale.

Por Rama mund të bëjë diçka. Ashtu siç zv.presidenti Nikson shmangu një luftë të dytë civile, Rama mund të shmangë një 1997-të të dytë për Shqipërinë, duke deklaruar se është i gatshëm të zhvillojë zgjedhje të parakohëshme parlamentare e lokale në të njëjtën ditë, në pranverën e ardhshme. (Votimi në 30 qershor mund të bëhet pa tensione në këtë rast, sa për të mos lënë bosh kryezyrat e bashkive deri në pranverën e 2020-ës.)

Koha deri në pranverën tjetër mund të shfrytëzohet për të bërë ndryshime të nevojshme në Kushtetutë e në Kodin Zgjedhor, si dhe për krijimin e SPAK-ut, zgjedhjen e kryeprokurorit të përhershëm,  dhe plotësimin e dy gjykatave kryesore në vend.

Një shtëpi e ndarë më dysh nuk mund të qendrojë gjatë në këmbë…

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:


Skip to toolbar