Zbulohet skema sesi agjenti i policisë Ledion Beko, i cili u arrestua bashkë me katër persona të tjerë, organizonte shitje të kokainës në zonat e bllokut dhe ndërhynte për zgjidhjen e problemeve të grupit me policinë, duke u prezantuar te të tjerët si “shef policie”. Nga përgjimet e realizuara nga SHÇBA në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me prokurorinë rezulton se agjenti i policisë së komisariatit nr. 2 nuk merrej vetëm me shitje kokaine, por edhe me ndikime të paligjshme te kolegët, apo te personat e tjerë për të shpëtuar shokët e tij, me të cilët bashkëpunonte në shpërndarjen e kokainës. Realstory.al ka zbuluar një pjesë të dosjes së prokurorisë me përgjimet për policin Ledion Beko dhe bashkëpunëtorëve të tij, Aurel Klosi, teknik interneti, Ergys Mëcuku, pa profesion, Joan Kavaja financier dhe Arben Basha, i dënuar më parë, të cilët të shtunën u paraqitën para gjykatës për masën e sigurisë.
Dosja në prokurori
Nga të dhënat e dosjes në prokurori rezulton se Ledion Bako është punonjës i krimeve në komisariatin nr. 2 në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake, polici Bako ka dyshime të jetë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën e “Ish-Bllokut”, si drejtpërdrejtë ashtu edhe nëpërmjet tolerimit të kësaj veprimtarie kur kryhet nga grupe të caktuara kriminale.
Më 25 qershor, rreth orës 23:45, në rrugën kryesore në Surrel, është ushtruar kontroll makinën Audi, me ngjyrë të zezë, me targë 8FT818, ku Ledion Bako ishte shofer, ndërsa pasagjerë ishin Aurel Klosi, Joan Kavaja dhe Ergys Mëcuku. Gjatë kontrollit u gjetën dy armë zjarri. Në pjesën e pasme të sendiljes së shoferit u gjet një qese e bardhë e grisur më mënyrë të çrregullt dhe një kartëmonedhë si ato të dollarëve mbledhur në formë tubi, të cilat dyshohet se kanë mbetje të lëndës narkotike kokainë. Po ashtu, u gjet edhe një pistoletë tjetër. Pak më vonë, policia arrestoi edhe Arben Bashën.
Por çfarë i lidh këta persona?! Sipas prokurorisë, Ledion Bako ishte në përgjim që më 26 prill të këtij viti dhe nga përgjimi ka rezultuar se ai bashkëpunonte me personat e tjerë në forma të ndryshme, madje me Arben Bashën nuk flisnin shumë në telefon po takoheshin.
Telefonatat me Arben Bashën
Konkretisht, sipas përgjimeve rezulton se në një bisedë të zhvilluar më 26 prill, Arben Basha i kërkon Ledionit të ndërhyjë, të kryejë punë dhe t’i japë 50 mijë lekë një person, por nuk tregojnë arsyen. Një ditë më vonë, Ledioni komunikon nëpërmjet numrit të Arben Bashën dhe ushtron ndikim të paligjshëm te një punonjëse e policisë rrugore në mosmarjen e masës administrative ndaj Arben Bashës, i cili drejtonte mjetin me dokumentacion të parregullt. Me Arben Bashën, polici kishte biseda të shumta, por më shumë në takime dhe nuk flisnin në telefon. Kështu më 29 prill, Arbeni i kërkon Ledionit që të mos flasë për atë që i ka shkruar, (dyshohet për sms në adresa elektronike), por të takohen nga afër të bisedojnë. Në datë 30 prill, Arbeni i kërkon Ledionit që të shkojnë të nesërmen në Shkodër, të marrin me vete dy shoqet e tyre. Në fakt, të nesërmen ata kanë shkuar në Mamurras së bashku me dy vajza, por nuk dihet qëllimi i udhëtimit. Në datë 5 maj, Ledioni i kërkon “t’i japë ndonjë gjë me hongër”, ndërsa Arbeni reagon dhe kërkon t’i shkojë afër se është me personin e quajtur Klevis. Më 7 maj, Arben Basha me një zë të ulët, i kërkon “këmishën” që është te rafti i rrobave në shtëpinë e Ledionit. Po atë ditë, Arbeni i kërkon Ledionit që t’i shkojë te puna, “të kryejnë punë”.
Telefonatat me Joan Kavajën
Nga përgjimi i bisedave me Joan Kavajën, rezulton se më 26 prill ata kanë pasur një bisedë, në të cilën Joani i thotë se “një natë më parë ka fjetur si qengj” dhe Ledioni i përgjigjet se “a e shef efektin e Ledion Bakos”. Një ditë më vonë dhe më 30 prill Joani i kërkon Ledionit takim për “kafe”. Në datë 5 maj, Joani e pyet Ledionin se “a ke ndonjë mendje të keqe?” dhe Ledioni i përgjigjet se “varet nga dëshira”, ndërsa Joani i thotë për “një njëzetëshe”.
Telefonatat e tjera
Por Ledioni ka telefonata edhe me persona të paidentifikuar si në rastin e një qytetari, i cili i kërkon Ledionit të ndërhyjë që të kalojë nga VIP-i në Rinas motrën, nipin dhe kunatin. Në datë 27prill, të dy kanë shkëmbyer mesazhe ku bashkëbiseduesi i kërkon me “hongër” bashkë me një shok të tij dhe Ledioni i përgjigjet të mbyllë lokalin dhe të shkojë tek ai, por “s’ka vende në makinë” . Pak minuta më vonë, bashkëbiseduesi i thotë Ledionit se “sanduiçet”, “donerat” i ka në makinë.
Ndërsa në një telefonatë tjetër, një person i paidentifikuar në përgjime i kërkon Ledionit t’i bëjë një nder, pasi ka pasur një aksident. Ai i tregon se te “karburanti me kupolë” duke drejtuar mjetin është goditur nga një mjet tjetër. Me kërkesë të Ledionit ky person ia ka kaluar telefonin drejtuesit të mjetit që i ka shkaktuar dëmin dhe nga komunikimi Ledioni i prezantohet si shef policie në komisariatin nr. 2 dhe i kërkon që t’i japë lekët e dëmit në dorë personit të cilit i kish dëmtuar makinën.
Në një tjetër bisedë, Ledioni premton se do të ndërhyjë edhe te inspektorati i mjedisit për të marrë një leje 24 orëshe për një lokal.
Por, SHÇBA ka bërë edhe përgjime ambientale nëpërmjet telefonit, ku Ledioni flet më hapur për kokainë, pa përmendur kode. Në një bisedë më 14 maj me një person tjetër, Ledioni thotë ia futëm te Arena, kishte marrë ai njëzetepesë gramë kokainë, ai me vete…Ndërsa në një tjetër bisedë Ledioni thotë: Me hy, mos me bo kështu lëshime. Robtë e shpisë nuk bën asnjë lloj leku, asnjë lloj pune. Nuk është e njëllojtë se s’më lënë pesë mijë lekë cigare hashash. Ndërsa bashkëbiseduesi i thotë “mirë e ke ti vllai”, Ledioni ndërhyn swrish “kujt i thua, se i kam ble nga dyqind, nga treqind, a kupton. Nuk është se e ke ble njëqind mijë lekë, i ke dhënë dyqind mijë lekë, e ke dyqind mijë lekë, a e kupton edhe ku k… “S’bohet fjalë, s’du me ngel njëqind lek borxh, a e kupton.
Në bisedën më 26 maj gjatë thirrjes drejt bashkëbiseduesit, Ledioni i thotë “Dy mijë euro, hidhu pirdhu. Me rob shpije sa lekë ka marr p.. i motrës,…rri në rrotat e k… polica. Po unë polic ça doja, qejf, i kisha, apo do me bo transport. Ik mor të martë dreqi thash mor, mor derr.
Sa i përket lidhjes me Joan Kavajën vërehet se ata kanë lidhje të ngushtë dhe takohen çdo ditë në mbrëmje. Ata takohen në zonën e Laprakës, Don Bosko, Unazë e Re, duke qëndruar bashkë deri në orët e para të mëngjesit. Nga bisedat, Ledioni i thotë Aurelit: “me tubo është me plastikë, apo me lek o. Ledioni i kërkon Aurel Klosi që të shkojë të takojë Qazon, të marrë atë, se nuk e do për vete, t’i kërkojë një “Redbull të vogël”.
Por, veç përgjimeve rezulton se shumicën e bisedave Ledioni i bënte nëpërmjet rrjeteve sociale.
Nga këqyrja e rubrikave të telefonit konstatohen biseda me interes hetimor në rrjetet sociale ku Ledion Bako merret me tregtim të lëndës narkotike në persona të ndryshëm dhe për këtë ai ka edhe perceptim publik nga të njohurit që e kontaktojnë. Ka disa kontakte me numra të huaj ku ai vihet në rolin e personit që negocion dhe interesohet për t’i informuar ata për kalimin e tyre në Rinas, përgjegjësitë ligjore që ata mund të kenë në sistem. Interesimin për shmangien e tyre nga ndjekja penale apo plotësimi i procedurave standarde të punës nga shërbimet e policisë së shtetit.
Ai merr përsipër prenotime në lokalet e ish bllokut Tiranë si dhe u siguron lëndën narkotike. Në një rast ai ofrohet për të identifikuar femra shqiptare me qëllim trafikimin e tyre jashtë shtetit dhe shfrytëzimin e tyre për ushtrim prostitucioni nga lidhje të Ledionit. Gjatë gjithë komunikimeve ai merr dhe jep informacion lidhur me armët e zjarrit. Në nja rast ai konstatohet që të ketë përdorur foto të armës së zjarrit që i është sekuestruar në automjet./ realstory.al