Analisti Blendi Kajsiu e ka konsideruar pozitiv debatin që ka krijuar përjashtimi i Berishës nga Grupi Parlamentar i PD dhe takimet që ai po mban. I ftuar në emisionin “Real Story” me Sokol Ballën ai tha se kjo është një mundësi e madhe për PD-në që të zgjidhë ngërçin se çfarë do të bëhet me ish-kryeministrin.
Sipas tij duhet të bëhet një referendum nëse Berisha duhet të vijë në krye të PD dhe nëse nuk e fiton ai duhet të largohet siç duhej të bënte në 2013-ën.
“Mua më duket pozitive që ka debat dhe po vendosen kartat në tryezë. Me reagimin e Berishës kuptuam që Berisha paska qenë kryetari i PD. Berisha tregoi se ka një kufi dhe kjo është një shans i madh i PD për të zgjidhur ngërçin se çfarë do të bëjë me Berishën. Kërkesa e Berishës për referendum nuk mund të shmanget. Referendumi duhet të bëhet nëse Berisha duhet të jetë kryetar apo jo i PD. Nëse ai e fiton referendumin nuk duhet të zgjedhë një zar tjetër po të marrë përsipër përgjegjësitë duke iu premtuar demokratëve se do t’i sjellë në pushtet pavarësisht konfliktit me Amerikën. Për sa kohë Berisha është aty nuk mund të flasim për riformatim të partisë.
Nëse Berisha nuk fiton në 2025 duhet të largohet si nuk bëri në 2013. Pastaj duhet të thirrjet një Kuvend i madh për të zgjedhur një kryetar jashtë hijes së Berishës. PD pati mundësinë të tregonte se është ndryshe nga PS. Modeli që ofron Rama dhe Berisha janë afërsisht të njëjtë”- tha Kajsiu.