Një tjetër aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e së premtes në aksin Korçë-Pogradec pas atij të ndodhur në afërsi të Finiqit vetëm disa orë më herët. Dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën, duke lënë të plagosur rëndë një person. Dy makinat janë përplasur kokë më kokë, duke u shkatërruar plotësisht dhe plagosur personat që ndodheshin në to.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Pirg, ndërsa burime nga policia bëjnë me dije se i plagosur rëndë ka mbetur njëri nga drejtuesit e mjeteve. Ai është dërguar menjëherë në Spitalin e Korçës, ndërsa policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit tjetër dhe vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Në orët e para të mëngjesit u regjistrua një tjetër aksident i rëndë, pasi pesë persona u plagosën nga një aksident në rrugën Finiq-Sarandë.