Përplasja e anijes me urën e Baltimorës në SHBA, Inspektorët federalë hetojnë incidentin

BOTA


Inspektorët e sigurisë po analizojnë kutinë e zezë të anijes së mallrave që u përplas me urën në Baltimorë, tha të mërkurën shefja e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit, ndërsa ekipet e shpëtimit kërkojnë për trupat e gjashtë punëtorëve të ndërtimit që ranë në ujë nga shembja e urës.

Një ekip tjetër po inspekton dëmtimet e urës Francis Scott Key. Inspektorët e sigurisë do të intervistojnë ekuipazhin e anijes dhe të mbijetuarit e tjerë tha kryetarja e Bordit të Sigurisë së Transportit, Jennifer Homendy.

Pasojat mund të kishin qenë shumë më të mëdha nëse policia nuk do të kishte vepruar me shpejtësi për të ndaluar trafikun. Brenda rreth 90 sekondash, pas paralajmërimit të një dispeçeri në radio se një anije masive mallrash kishte humbur kontrollin dhe po shkonte drejt urës, oficerët e policisë arritën të ndalonin trafikun e automjeteve në të dyja anët e urës.

Njëri prej oficerëve tha se ishte gati të shkonte me makinë në urë për të njoftuar punonjësit e ndërtimit. Por ishte tepër vonë dhe anija u përplas.

Incidenti ka shkaktuar mbylljen për një kohë të pacaktuar të Portit të Baltimorës, një nga më të ngarkuarit në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara dhe ka rënduar trafikun për qytetin dhe rajonin përreth.

Ekipet e emergjencës shpëtuan të martën dy punëtorë ndërtimi duke i nxjerrë ata nga uji. Njëri prej tyre u shtrua në spital.

Gjashtë punëtorët që nuk janë gjetur ende dhe që mendohet të kenë vdekur janë emigrantë nga Meksika, Guatemala dhe El Salvadori, tha Konsullata meksikane në Uashington. Roja Bregdetare tha se po vazhdon kërkimet për trupat, 18 orë pasi ata ranë në ujërat e ftohta, 50 metra të thella, të lumit Patapsco. Anija e kontejnerëve Dali nga Singapori, po nisej nga Baltimora për në Sri Lanka kur u përplas me urën. /VOA



Skip to toolbar