Përplasja për “Dosjen 184”, Dibra pranon regjistrimin, në shtator caktohet prokurori

AKTUALITET


Ka marrë fund odiseja e dosjes “184”, e cila bën fjalë për përgjimet e regjistruara në Dibër për zgjedhjet e pjesshme në vitin 2016 për Bashkinë Dibër, e cila solli përplasje mes dy prokurorive për shkak të kompetencës lëndore. Prokuroria e Dibrës ka vendosur të regjistrojë dosjen e bujshme për blerje të votave menjëherë pasi ka marrë në dorëzim materialet nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila shpalli moskompetencën tokësore, duke qenë se vepra penale e krimeve zgjedhore nuk hetohet nga ky organ akuze, por nga prokuroritë e rretheve.

Nga të dhënat pranë Prokurorisë së Dibrës mësohet se në fillim të shtatorit pritet të hidhet shorti mes dy prokurorëve. Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Keshi (Cani), nuk do të jetë pjesë e shortit për shkak të lidhjeve familjare me një nga personat në hetim për këtë dosje. Bëhet fjalë për Arben Keshin, i cili është kushëri i bashkëshortit të kryeprokurores së Dibrës.

Keshi ishte një nga zyrtarët ndaj të cilëve gazeta gjermane ‘Bild’ publikoi disa audio-përgjime ku sipas pretendimeve të PD bëhej fjalë për blerje votash në procesin zgjedhor të vitit 2016. Keshi doli në pothuajse të 16-përgjimet që u publikuan dhe flet me zyrtarë të ndryshëm dhe gazeta gjermane e ka identifikuar si zyrtar në Ministrinë e Brendshme, që gjatë asaj periudhe ka mbajtur postin e drejtorit të Qendrës së Mbyllur për të Huajt e parregullt në Republikën e Shqipërisë.

Dosja e 184 e përgjimeve të famshme të gazetës gjermane BILD për shitblerjen e votave në Dibër, krijoi fillimisht përplasje mes prokurorisë së krimeve të Rënda dhe prokurorisë së Dibrës mbi vijimin e hetimeve. Të mërkurën e kaluar, Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencë për vijimin e hetimeve për këtë dosje, duke ia deleguar prokurorisë së Dibrës. Gjatë të enjtes, Prokuroria e Përgjithshme shpërndau një deklaratë për mediat ku sqaroi se pse kjo çështje duhet të ndiqet nga Prokuroria e Dibrës, ndërkohë që kjo prokurori nga ana e saj e ka refuzuar duke përdorur si argument konfliktin e interesit. Por siç njofton edhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme fati i kësaj dosje do të përcaktohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili duhet të caktojë një prokuror që nuk ka konflikt interesi për të vijuar hetimet për këtë dosje.



Skip to toolbar