Përplasje të forta verbale mes Biden dhe Putin

BOTA


Vazhdon përshkallëzimi verbal mes Joe Biden dhe Vladimir Putin, i cili propozon ‘’ta vijojnë’’ diskutimin e tyre ‘’live’’.

Presidenti rus ka vazhduar debatin verbal, duke u tallur haptazi me homologun e tij amerikan, i cili më parë e kishte quajtur atë ‘’vrasës’’.

‘’Është vetë ai që e thotë !’’ Me këtë frazë fëmijënore presidenti rus i është përgjigjur homologut amerikan dje (18 mars), i cili e kishte quajtur një ditë më parë ‘’vrasës’’.

‘’Nuk është thjesht një shprehje fëmijënore, një barsoletë… Ne shohim gjithmonë tek tjetri karakteristikat tona’’, – u shpreh presidenti rus gjatë një video-konference transmetuar nga televizioni rus. ‘’Ne do të mbrojmë interesat tona dhe ne do të punojmë me ata (amerikanët) në kushte që do të jenë avantazhuese për ne’’ – shtoi Vladimir Putin.

Ky përshkallëzim verbal duket ta tërheqë marrëdhënien amerikano-ruse në një spirale të re tensioni. Megjithëse që prej ndërrimit të administratës në SHBA, të dyja fuqitë ishin shprehur se do të donin të bashkëpunonin në çështje me interes të ndërsjelltë.   

Të mërkurën (17 mars), pyetjes së një gazetari të kanalit ABC,  ‘’A mendoni ju se Vladimir Putin është vrasës ?’’ Joe Biden iu përgjigj : ‘’Po, e mendoj’’. Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu se donte ta bënte shefin e Kremlinit të paguante për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane më 2016 dhe 2020. Këto deklarata vijë në kohën kur një raport i ri i shërbimeve inteligjente amerikane, i publikuar të martën, akuzon Moskën për tentativë ndërhyrje në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar. ‘’Vladimir Putin do të paguajë pasojat’’ paralajmëron Joe Biden, përpara se të përsërisë, pas një ndërhyrje të gazetarit që e pyeste : ‘’Ju do ta shikoni çmimin që ai (Putin) do të paguajë.’’

Këto fjalë janë konsideruar si fyerje për rusët dhe si sulm kundra vendit të tij nga presidenti i dhomës ë ulët të Parlamentit rus, Viatcheslav Volodine. Disa orë më vonë, ministria ruse e punëve të jashtme thirri ambasadorin rus në SHBA për konsultime mbi të ardhmen e marrëdhënieve ruso-amerikane të të gjendura sot në rrugë pa krye. Thirrja e ambasadorit për konsultime nga Kremlini nuk kishte ndodhur që prej vitit 1998. Sipas ambasadës ruse në Uashington, ‘’deklaratat e pareflektuara të politikanëve amerikanë, rrezikojnë shembjen e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat edhe kështu janë tepër konfliktuale’’.

A duhet të ketë një shenjë paqtimi ? Departamenti amerikan i shtetit siguroi agjensinë Francë-Presse që SHBA-të nuk parashikonin të thërrisnin përfaqësuesin e tyre në Moskë. Nga ana europiane, shefi i diplomacisë gjermane ka përshëndetur të enjten, në një intervistë në Deutche Welle ‘’gjuhën shumë të qartë’’ të SHBA-ve për Rusinë. Por Heiko Maas u përmbajt të komentonte, apo të vlerësonte konsiderimin si ‘’vrasës’’ të presidentit rus. ‘’Ne duam të jemi gjendje të mbajmë hapur dritaren e dialogut me Moskën lidhur me sfida madhore, si çarmatimi apo ndryshimet klimatike’’, u shpreh Heiko Maas.

Gjithashtu në anën amerikane, çështjet dypalëshe me Moskën nuk mungojnë, si bisedimet e paqes në Afganistan, apo zgjatja e traktatit të limitimit të armëve bërthamore New Start. Por arrestimi i opozitarit të presidentit Vladimir Putin, Alexei Navalny ka kontribuar në acarimin e marrëdhënieve, të cilat ishin të tensionuara edhe më parë për shkak të ndërhyrjes ruse në Siri, apo aneksimit të Krimesë. Të enjten, vendet e G7, shtetet më të pasura në Botë të bllokut perëndimor, kanë denoncuar edhe njëherë ‘’pushtimin e këtij territori ukrainas nga Rusia.

LE MONDE



Skip to toolbar