Është “e pashpjegueshme dhe e turpshme” që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk e ka publikuar ende raportin për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në politikat britanike, tha në një intervistë për BBC-në Hillary Clinton, ish-kandidate për presidente të Shteteve të Bashkuara. Raporti e ka lejen zyrtare, por nuk do të publikohet deri pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Britani.
Çdo person që voton në këtë vend, e meriton ta shohë këtë raport përpara zgjedhjeve”, tha Clinton. Qeveria britanike mohon se po bën presion për mospublikimin e tij. Raporti nga Komiteti i Inteligjencës dhe Sigurisë i Parlamentit britanik analizon veprimtarinë ruse në demokracinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ai përfshin pretendime për spiunazh dhe ndërhyrje në zgjedhje.
Raporti përmban prova nga shërbimet e inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar, të tilla si GCHQ, MI5 dhe MI6, në lidhje me përpjekjet e fshehta ruse për të ndikuar në rezultatin e referendumit për Bashkimin Evropian më 2016 dhe të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017.
Raporti është përfunduar në muajin mars dhe është dërguar në Qeverinë britanike më 17 tetor. Por, miratimi për publikimin e tij nuk është dhënë ende dhe kjo nuk do të ndodhë deri pas ditës së zgjedhjeve, më 12 dhjetor. Kancelari britanik, Sajid Javid, tha se koha për publikim është “krejtësisht normale”, për shkak të natyrës së ndjeshme të përmbajtjes.
Por, Emily Thornberry, nga Partia opozitare Laburiste, tha se vendimi për të mos e publikuar raportin para zgjedhjeve të përgjithshme “është i motivuar politikisht”. Duke folur në Parlament, javën e kaluar, ajo tha se raporti mund të ngrejë pyetje për lidhjet midis Rusisë, daljes së Britanisë nga BE-ja dhe udhëheqjes së Tory-t, partisë që ka pushtetin në Britani.
Burimet i kanë thënë BBC-së se nuk ka asnjë vërejtje nga ndonjë agjenci apo departament qeveritar për publikimin e raportit, çfarë e lë vendimin në duart e qeverisë. Clinton tha se SHBA-ja ka pasur problem të ngjashëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, kur ajo është mundur nga republikani Donald Trump.
Trump dhe fushata e tij, tha ajo, kanë qenë nën hetime për lidhjet e tyre me Rusinë, agjentët rusë dhe të tjerët që promovonin interesat ruse, porse publiku amerikan nuk e ka ditur përpara zgjedhjeve. “Pra, nuk ka dyshim për rolin që ka luajtur Rusia në zgjedhjet tona në vitin 2016 dhe që vazhdon ta luajë”, tha Clinton.
Ajo tha se raporti për ndërhyrjen ruse në Britani duhet të ketë diçka shqetësuese, pasi nuk po bëhet publik. Në Shtetet e Bashkuara, këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, i cili ka hetuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet në SHBA, ka konstatuar se ka pasur një të tillë, veçanërisht duke përdorur mediat sociale. Megjithatë, Mueller ka thënë se nuk ka pasur ndonjë komplot penal midis Moskës dhe fushatës së Trumpit./REL/