Remal Rada, ish-efektiv i RENEA-s u kap një ditë më parë me snajper në makinë, ndërsa udhëtonte së bashku me shokun e tij, Elton Hithi. Ata u arrestuan në kuadër të operacionit “Double strike”, pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Në vijim të këtij operacioni, uniformat blu bëjnë të ditur se gjatë kontrollit në banesë, në zonën e quajtur “Selitë e Vjetër”, u gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 13 pajisje të ndryshme fiksuese dhe shtrënguese si ato të armëve, municion luftarak, këllëf pistolete, 2 radio Policie, një aparaturë valësh, dy elektrikë dore, njëri prej tyre me mbishkrimin “Policia”, 4 thika, targa shqiptare dhe të huaja, jelek multifunksional me mbishkrimin “RENEA”, shënjestër optike, 15 aparate celulare dhe sende të tjera. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se ish-efektivi e kishte marrë me qira banesën, ku edhe mbante armët.
Kujtojmë se Rada, ka shërbyer më herët në radhët e Policisë së Shtetit, në repartin RENEA. Ai lëvizte me një automjet luksoz me targa të huaja (angleze). Efektivi kishte 2-3 muaj që ishte larguar nga radhët e policisë. Ai u ndalua nga shërbimet e policisë rrugore fillimisht dhe iu gjet snajper. Dyshohet se Rada dhe Hithi do të kryenin vrasje.
Njoftimi i plotë:
Vijon operacioni policor i koduar “Double strike”, nga Komisariati i Policisë Nr. 1.
Gjenden dhe sekuestrohen në banesën e marrë me qira nga njëri prej shtetasve të arrestuar ditën e djeshme, 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, targa shqiptare dhe të huaja, 4 thika, 13 pajisje fiksuese si ato të armëve, shenjestër optike, 15 aparate celulare, 2 radio si ato të Policisë dhe pajisje të tjera që përdoren nga Policia.
Ditën e djeshme u sekuestruan 1 armë zjarri snajper, 1 armë zjarri pistoletë, një karikator arme automatike, 2 krehra pistolete, një sasi municioni luftarak, dy palë dylbi nate terminale dhe një dokument policie.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të operacionin policor të koduar “Double strike”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit R. R., 39 vjeç dhe E. H., 28 vjeç, në vijim të veprimeve hetimore për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtyre shtetaseve, kanë zbuluar një banesë të marrë me qira nga shtetasi R. R.
Gjatë kontrollit në këtë banesë, në zonën e quajtur “Selitë e Vjetër”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 13 pajisje të ndryshme fiksuese dhe shtrënguese si ato të armëve, municion luftarak, këllëf pistolete, 2 radio Policie, një aparaturë valësh, dy elektrikë dore, njëri prej tyre me mbishkrimin “Policia”, 4 thika, targa shqiptare dhe të huaja, jelek multifunksional me mbishkrimin “RENEA”, shënjestër optike, 15 aparate celulare dhe sende të tjera.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.